Kulturë Më shumë

Prof. dr. Ruzhdi Ushaku sjell botimin e ri “Enigma e Valdanosit”

Prej tvteuta10:26, 7 Nëntor 2019

Studiuesi i njohur nga Ulqini, prof. dr. Ruzhdi Ushaku, vjen për lexuesin me një botim të ri, “Enigma e Valdanosit”, një përpjekje për të ndriçuar shumë mistere dhe enigma që lidhen me këtë lokalitet dhe toponim. Autori tregon se vetë emri Valdanos e ka intriguar që në fëmijërinë e tij sepse i tingëllonte si diçka e mistershme. Krahas kësaj, shumë ngjarje të pabesueshme që flitej se u kishin ndodhur detarëve, peshkatarëve, barinjve, pronarëve të ullishtave etj. e bënin Valdanosin edhe më të errët, por njëkohësisht shtonin etjen dhe dëshirën e autorit për t’u marrë me të.

Në trajtimin e objektit të studimit, Ushaku mbështetet në dijet shkencore ekzistuese, legjendat, mitet, gojëdhënat, dëshmitë e ndryshme etj. Ai përdor po ashtu analizat dhe krahasimet gjuhësore, botën e tij imagjinative, për të zbërthyer nyjën e ndërlikuar të Valdanosit me të gjitha fenomenet që ngërthen. Të gjithë këtë e bën me një gjuhë të kuptueshme dhe stilin e tij të njohur.     

Redaktori i librit, prof. dr. Basri Çapriqi, shprehet se “Autori ka gjetur një mënyrë interesante për të mbushur zgavrat e historisë dhe për të rivënë hallkat e humbura përmes një kombinimi imagjinar mbështetur në topose mitike e kulturore dhe dijes empirike”.

Recensentë të librit janë Ali Llunji dhe Jaho Kollari, redaktor gjuhësor Ali Llunji, redaktor teknik Qazim Muja, kurse ballina është punuar nga Agon Ushaku.

Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe Fondacioni “Lika”, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.

“Enigma e Valdanosit” është libri i 13-të i prof. dr. Ruzhdi Ushakut. Ai po ashtu është autor i rreth 100 punimeve shkencore dhe është paraqitur me kumtesa dhe referime në konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Për punën e tij kërkimore dhe botuese është dekoruar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë me titullin “Nderi i Akademisë” (2015) dhe me medaljen “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë (2017).  

Ulqin, më 06. 11. 2019                                                                             SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio