Procesi zgjedhor në Krajë pa probleme serioze. Dalja e ulët
Prej tvteuta23 October 2022

Zgjedhjet lokale po mbahen edhe në komunën e Tivarit, pjesë e së cilës është edhe Kraja, trevë e banuar me popullsi shqiptare. Atmosfera duket e qetë dhe pa probleme, ashtu edhe si herët e kaluara, çka tregon se preferencat politike nuk mund të ndikojnë në harmoninë e banorëve të Krajës. Sa i përket procesit zgjedhor, duket se çdo gjë ka shkuar pa probleme serioze.
Anëtari i Komisionit zgjedhor në qendrën e votimit në Ostros, Hajredin Perashi, thotë se çdo gjë po shkon sipas rregullave dhe deri tani nuk kanë evidentuar asnjë ankesë.
Në qendrën nr.30 në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skenderbeu”, duket se procesi ka shkuar pa pengesa. Kryetarja e Komisionit zgjedhor në këtë vendvotim, Arnela Çoloviq thotë se kanë pasur një incident të vogël por që nuk ka ndikuar në rregullsinë e procesit. Sa i përket daljes në votime, ajo thotë se deri në orën 13.00 dalja ka qenë më e ulët se pritej, por që kjo mund të ndryshojë deri në mbylljen e votimit.
Sipas disa banorëve të Krajës, të cilët nuk pranuan të flasin para mikrofonit, në këto zgjedhje apatia e votuesve ka arritur kulmin, prandaj dalja me siguri do të jetë e ulët. Në anën tjetër edhe shpresat e tyre për ndonjë ndryshim thelbësor, po ashtu janë të ulëta, çka mund të mos ketë ndikim të madh në nivel të gjithë Tivarit, por me siguri që do të shërbejë si shenjë se diçka duhet ndryshuar brenda Krajës.