Prezantohen lokalitetet më atraktive për investim
Prej tvteuta23 September 2017
Në zyrën e Kryetarit të Komunës u bë prezantimi zyrtar i mundësive për investim në qytetin e Ulqinit, të cilat do të paraqiten në panairet e ardhshme të investimit ku do të marrin pjesë përfaqësuesit e Komunës. Për herë të parë në një projekt të tillë janë përfshirë sektori privat dhe ai publik, dhe përbën një pilot projekt i cili më parë nuk është bërë në Mal të Zi. Në afër 70 faqe të shtypura, janë paraqitur vendet më tërheqëse për investitorët potencial, informacionet për qytetin, lehtësimet për investitorë dhe listat e investimeve. Në kuadër të kësaj u prezantuan planet ideore për zonat atraktive si Mavrijani e Plazhi i Madh , ato rurale si Darza apo Shën Gjergji, marinën në Lima dhe hotelet “Jadran” dhe “Galeb”. Më parë, komuna ka diskutuar edhe me afaristët e Ulqinit për mundësitë e krijimit të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit privat-publik. Përfaqësuesit e komunës do të jenë në Mynih, nga 4-6 tetor në panairin më të madh të investimeve, të cilat do të mbledhë rreth dy mijë ekspozues, ndërsa në fund të nëntorit, nga 23 deri më 25 nëntor të jenë pjesë e Panairit të Investimeve në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.