Presidenti Gjukanoviq vlerëson lart punën e ambasadorit Durmishi
Prej tvteuta23:43, 29 Qershor 2019
Në përmbyllje të mandatit të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, ambasadori Skender Durmishi është pritur nga presidenti Millo Gjukanoviq. Presidenti Gjukanoviq, sipas njoftimeve nga zyra e tij, ka lavdëruar punën e ambasadorit Durmishi për “ bashkëpunim të shkëlqyer gjatë mandatit të tij diplomatik dhe për kontribut përparimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”. Hyrja në fuqi e Marrëveshtjes për kufi, hapja e Qendrës zhvillimore të malazezëve në Kosovë, si dhe emërimi i Konzullit të nderit, janë procese të cilat e kanë përforcuar besueshmërinë dhe kanë avancuar bashkëpunimin, theksoi Gjukanoviq gjatë këtij takimi. Pasi ka përmendur shumë argumente që dëshmojnë për raportet e mira ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, presidenti Gjukanoviq ka konfirmuar gatishmërinë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit dhe mbështetje konstruktive për Kosovën.
Ambasadori Durmishi me këtë rast ka falënderuar presidentin Gjukanoviq dhe institucionet e Malit të Zi që i kanë krijuar kushtet e duhura për ushtrim të papenguar të mandatit të ambasadorit për mbrojtje të intetesave të Kosovës dhe përfaqësim efikas gjatë tri viteve në krye të Ambasadës në Mal të Zi. “ Mund të konstatoj me kënaqësi se pas tri vitesh shërbimi , si ambasador i parë i Kosovës në Mal të Zi, po lë një nivel të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, si bazë solide për vazhdim të mëtejmë me përparësi ekonomia dhe infrastruktura si dhe këmbime aktive të vlerave kulturore të cilat forcojnë edhe më shumë lidhjet mes nesh” , tha ambasadori Durmishi.
Raportet e mira ndërmjet dy vendeve janë konstatuar edhe në takimet që pati ambasadori Durmishi me krerët e tjerë të institucioneve të Malit të Zi, kryetarin e Kuvendit, Brajoviq, nënkryetarin Nimanbegu dhe ministrin e jashtëm Darmanoviq.
Ambasadori Durmishi në këto takime është shprehur i kënaqur që gjatë këtyre tri viteve ndoqi nga afër shumë suksese të Malit të Zi , si anëtarësia në NATO e shumë të tjera të cilat janë mirëpritur në Kosovë si suksese të një vendi fqinj e mik si Mali i Zi por edhe për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit.