Posti i komisionarit të Zgjerimit të BE-së bëhet sërish tërheqës
Prej tvteuta29 July 2024
Menjëherë pasi Parlamenti Evropian, më 18 korrik, ka konfirmuar Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, kanë filluar kalkulimet se kush do t’i ketë postet kryesore në kolegjin e ri të komisionarëve, siç njihet Komisioni Evropian. Sipas traktateve themelore të BE-së, Komisioni Evropian duhet t’i ketë aq anëtarë sa ka vende anëtare BE-ja, që do të thotë se secili vend anëtar ka një komisionar. Kur emërohen në postet e komisionarëve, ata duhet t’i shërbejnë BE-së dhe jo vendit prej nga vijnë. Por, megjithatë, vendet anëtare synojnë dhe lobojnë fuqishëm që komisionarët e tyre të kenë poste sa më të rëndësishme. Poste kryesore në Komisionin Evropian konsiderohen, zakonisht, ato që kanë të bëjnë me financa, bujqësi, fonde, tregti dhe energji. Edhe pse në BE nuk ka poste të komisionarëve që janë të parëndësishme, ndikimi i atyre që merren me resorë si kultura, edukimi, shëndetësia dhe disa fusha të tjera, është më i vogël. Kjo, jo për faktin se këto fusha nuk janë të rëndësishme, por më shumë për shkak se ato janë kryesisht kompetenca të vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian ka më pak ndikim në to. Kësaj radhe ka shumë interes nga vendet anëtare që kandidati i tyre ta marrë postin e komisionarit të Zgjerimit të BE-së. Situata nuk ka qenë kështu para pesë vjetësh. Që nga viti 2004, kur ka ndodhur zgjerimi i madh i Bashkimit Evropian me dhjetë anëtarë të rinj, posti i komisionarit për Zgjerim nuk është konsideruar si i rëndësishëm. Atëkohë, është kuptuar se në procesin e zgjerimit mbeten vetëm vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ato janë shumë larg anëtarësimit, andaj komisionari i Zgjerimit nuk do të mund të kishte ndonjë sukses të konsiderueshëm në mandatin e tij. Nga viti 2007, kur në BE janë anëtarësuar Rumania dhe Bullgaria, si dy vende që kanë qenë pjesë e valës së madhe të zgjerimit, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare e këtij blloku në vitin 2013. Për t’i dhënë pak më shumë rëndësi këtij posti, komisionari i Zgjerimit ka marrë mbi vete edhe politikën ndaj fqinjëve të BE-së. Por, kjo nuk ka pasur ndonjë vlerë të madhe, pasi me ato vende, edhe ashtu, është marrë përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, që me automatizëm është edhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian.