Sociale Më shumë

Porti i Tivarit në grevë për pagat e ulta dhe rrezikun në punë

Prej tvteuta16:09, 7 Tetor 2023

Udhëheqësit e sindikatave të portit të Tivarit kanë paralajmëruar grevë të përkohëshme më 12 tetor dhe nëse punëdhënësi nuk rrit pagat, ata do të hyjnë në grevë të përgjithshme.

Punëtorët kërkojnë një rritje të pagave prej 40%, duke vënë në dukje se pagat mesatare në Portin e Tivarit janë më të ulta se mesatarja malazeze, gjë që nuk është normale për kompanitë portuale.

Të dy sindikatat bien dakord t’i japin punëdhënësit 30 ditë kohë për të pranuar kërkesën e punëtorëve.

“Greva paralajmëruese do të mbahet më 12 tetor nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 12 të natës. Punëtorët do të paraqiten në vendet e punës, por nuk do të kryejnë detyrat e zakonshme” tha Zoran Martinoviq, president i Organizatës sindikale të punonjësve të portit të Tivarit.

Drejtori Ekzekutiv i Portit të Tivarit, Sedat Kara u informua të premten rreth kërkesave të punëtorëve gjatë bisedimeve me krerët e të dy Sindikatave, duke shtuar se do të kthejë njoftim me shkrim.

Sindikata thotë se gati gjysma e punonjësve të kompanisë punojnë për një pagë minimale prej 450 euro.

Është e papranueshme, sipas Sindikatës, që punëtorët me kualifikime profesionale me mbi 20 vjet shërbim të kenë një pagë prej 450 euro si një punonjës që ka filluar të punojë dy muaj më parë.

Sindikatat thonë se paga mesatare në Portin e Tivarit është më e ulët se mesatarja malazeze, gjë që nuk është e drejtë.

“Punët e portit kanë qenë gjithmonë më të paguara se mesatarja. Para privatizimit, pagat tona ishin rreth 25% më të larta se mesatarja në shtet,” tha Zoran Martinoviç, president i Organizatës sindikale të punonjësve të Portit të Tivarit.

Porti i Tivarit ka 315 punonjës, ndërkohë që kur kompania u privatizua, nga janari i vitit 2014 kishte mbi 570 punëtorë.

Udhëheqësit e të dy Sindikatave arrijnë në përfundimin se në 10 vitet që nga privatizimi i Portit të Tivarit në Portin e Adrias, situata aktuale në kompani mund të gjykohet si më e keqja.

  • 1

    Radio