Aktuale Më shumë

“Plotësoni vendet vakante në drejtësi”

Prej tvteuta10:29, 12 Nëntor 2023

Plotësimi i pozitave vakante në institucionet gjyqësore duhet të jetë hapi i parë i qeverisë së re, mendon ambasadori gjerman në Mal të Zi Peter Felten dhe thekson se është e rëndësishme se kë zgjedhim në ato poste. Shoqata e Avokatëve e sheh të diskutueshme miratimin e shumë ligjeve në kundërshtim me opinionin e Komisionit të Venecias.

Edhe pse nuk është absolutisht negativ, siç u paralajmërua, raporti i fundit i Komisionit Evropian kritikon ashpër situatën në gjyqësor. Ambasadori gjerman në Mal të Zi, Peter Felten, e konsideron raportin realist, por një udhëzues të mirë.

“Unë do të rekomandoja që të orientoheni në çdo gjë sipas raportit të KE-së. Hapat e parë tashmë kanë vijuar dhe kanë të bëjnë me plotësimin e vendeve vakante në aparatin gjyqësor, duke filluar nga Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Lartë e Shtetit e deri te gjyqtarët e Gjykata e Lartë si dhe Këshilli Gjyqësor”, tha ambasadori gjerman në Mal të Zi Peter Felten.

“Në të kaluarën e afërt janë arrestuar ish-drejtues të drejtësisë, por arrestimet nuk nënkuptojnë aktgjykim të formës së prerë, duhet gjetur një mënyrë për të monitoruar siç duhet të gjithë zinxhirin gjyqësor, duke filluar nga policia dhe prokuroria publike, deri në fund në gjykata. Që gjithçka të funksionojë ashtu siç duhet. E përsëris, arrestimi nuk do të thotë që dikush është i dënuar ligjërisht”, shtoi Felten.

Edhe në Shoqatën e Avokatëve apelojnë për kompletimin e institucioneve dhe si pikë të zezë në fushën e sundimit të ligjit njohin miratimin e ligjeve të shumta në kundërshtim me rekomandimet, gjë e cila është vërejtur edhe nga Komisioni Evropian.

“Problemi është se në parlamentin tonë janë miratuar ligje që janë në kundërshtim me mendimin e Komisionit të Venecias, kështu që Mali i Zi ka bërë një gabim të madh që do të ketë pasoja të mëdha. Pra, në radhë të parë duhet të bëhen ndryshime në ato ligje”, tha Ana Stankoviq Mugosha nga Shoqata e Avokatëve të Malit të Zi.

Stankoviq Mugosha apelon që gjyqtarët e Gjykatave Themelore të zgjidhen sa më shpejt në mënyrë që të përshpejtohen procedurat në shumë raste.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio