Sociale Më shumë

Plantacionet e marihuanës po mbijnë kudo në Malin e Zi

Prej tvteuta15:14, 30 Shtator 2023

Rastet e kohëve të fundit të zbulimit nga ana e policisë së nëntë plantacioneve të mbjella me marihuanë kanë shtuar shqetësimin e autoriteve në vend për shkallën e përhapjes së këtij fenomeni në gjithë vendin.

Këto plantacione variojnë nga disa dhjetëra deri në disa mijëra bimë, gjë që tregon qartë se kjo lloj kontrabande në Mal të Zi nuk është e rastësishme, dhe megjithëse jo aq serioze si në disa vende fqinje mbetet shqetësim për autorietet.

Policia e Podgoricës zbuloi një plantacion me tre mijë e shtatëqind bimë në fshatin Rvashi afër Cetinjes, i cili është më i madhi i zbuluar deri më tani në Mal të Zi.

Për këtë ngjarje është arrestuar një shtetas nga Podgorica për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të prodhimit, posedimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike si edhe veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe lëndëve plasëse. Sasia e drogës së sekuestruar nga ana e policisë vlerësohet se kapte shifrën e disa miliona eurove nëse do të arrinte të hidhej në treg.

Rasti nga Rvashi nuk është i vetmi, sepse autoritetet ligjzbatuese kanë zbuluar edhe tetë plantacione të tjera të mbjella me marihuane me një numër më të vogël të fidanëve të kanabisit vetëm dy muaj më parë.

Plantacione me kanabis u zbuluan në Plužine (18 bimë), Golija (132 bimë), Gusinje (30 bimë), fshati Rudine afër Tuzës 180 bimë, fshati Popratnica afër Rvashit (85 bimë), fshati Mrke afër liqenit të Shkodrës (20 bimël), si edhe në qytetin kufitar të Cijevna Zatrijebačka (222 bimë).

Departamenti për Luftën kundër Kontrabandës së Drogës tha më pas se kanë forcuar kontrollin, që kjo lloj kontrabande të mos marrë hov si në Shqipërinë fqinje, ku përballen me prodhim masiv të territoreve të tëra të vendit, në natyrë.

Prej kohësh dihet se Shqipëria është prodhuesi më i madh i marijuanës në Evropë dhe i dyti në botë, ndërsa Mali i Zi është një nga vendet më të rëndësishme për transitin e kësaj droge në zinxhirin e kontrabandës dhe kriminalitetit.

Deri më tani, droga kontrabandohej kryesisht përmes portit të Tivarit drejt Italisë dhe më tej në tregun e Evropës Perëndimore, deri në Skandinavi, ku çmimi i saj arrinte edhe shifrat më të larta.

Në vitin 2020, policia në Malin e Zi konfiskoi marijuanë me vlerë tre milionë euro.

Në shtatë muajt e parë të vitit 2021, më shumë se 1.2 ton marijuanë u sekuestruan prej autoriteve të vendit për të prerë rrugët e kontrabandës së marijuanës nga drejtimi i Shqipërisë, përmes territorit të Malit të Zi.

Ballkani, është gjithnjë e më shumë jo vetëm një zonë tranziti, por edhe një treg i madh për marijuanën.

Tregtarët kryesorë të kësaj marijuane janë shqiptarët, malazezët dhe serbët, të cilët e shesin atë në të gjithë Ballkanin, përfshirë edhe Rumaninë.

Mafia e drogës shet mbi 117 ton marijuanë shqiptare çdo vit vetëm në Ballkan.

Gjithmonë e më tepër po rritet shqetësimi se përpos kontrabandës transit, shtetasit malazezë po vendosin ta prodhojnë marijuanën këtu në vendin tonë.

Këtë e dëshmon sipas ekspertëve edhe aksioni i djeshëm në Pljevlje, si dhe zbulimi i plantacioneve të tjera të marijuanës në pothuajse të gjitha pjesët e Malit të Zi.

  • 1

    Radio