Politikë

Aktuale Më shumë

Piperoviq njofton padi penale ndaj Abazoviq

Prej tvteuta18 October 2022

Avokati Zoran Piperoviq njoftoi se do të paraqesë padi në Gjykatën Themelore në Ulqin kundër kryeministrit në mandat teknik Dritan Abazoviq, për shkak të shkeljes së të drejtave personale të klientave të tij – Ranko Uboviq dhe Zoran Lazoviq. Ai këtë e ka bërë të ditur pasi Abazoviq gjatë seancës së djeshme të Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje akuzoi Uboviqin dhe Llazoviqin për kontrabandë kokaine dhe cigareve dhe financim të fushatës së Partisë Demokratike të Socialistëve për zgjedhjet lokale në Podgoricë. “Askund në Europë kryeministri i një vendi nuk do të dilte me pretendimin se një biznesmen dhe një ish zyrtarë i lartë i policisë  po bëjnë kontrabandë kokaine dhe cigareve pa asnjë provë të bazuar në të thënat institucionale të prokurorisë dhe shërbimeve të sigurisë. Unë e di, po ashtu edhe kryeministri, që ai nuk disponon asnjë informacion për këtë nga asnjë shërbim sigurie apo prokurori. Sepse nëse do të kishte informacione dhe prova të tilla, pronarët e mi do të ishin nën trajtim penal prej kohësh”, tha Piperoviq. Avokati i kërkoi Abazoviq që “në këto dy ditë, para se të mbërrijë padia në Gjykatën e Ulqinit”, të bëjë gjithçka për të bindur atë dhe klientët që të mos e dorëzojnë padinë në fjalë.