Sporti Më shumë

Pesë gola të Haalandit për kualifikimin impresiv të Cityt

Prej tvteuta15:55, 15 Mars 2023

Erling Haaland ka shkruar histori duke shënuar pesë gola për 57 minuta. Falë golave të tij, Manchester City është kualifikuar në mënyrë impresive në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

City të martën mbrëma fitoi thellë, 7:0, ndaj Leipzigut gjerman. Ndeshja u luajt në Manchester. Ndeshja e parë në Gjermani kishte përfunduar 1:1, ndërsa me rezultatin e përgjithshëm 8:1, kampioni i Anglisë ka avancuar në çerekfinale.

Mbrëmja ishte plotësisht e Haalandit. Ai kaloi shifrën e 30 golave në Champions, duke u bërë më i riu që e arrin këtë. Ndërkohë është bërë vetëm lojtari i tretë që ka shënuar pesë gola në një ndeshje të Championsit, pas Lionel Messit dhe Luiz Adrianos. Askush nuk ka shënuar më shumë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve.

Lista e rekordeve të norvegjezit 22-vjeçar është shumë e gjatë në fakt.

Haaland nisi serinë e golave në minutën e 22-të kur shënoi nga pika e bardhë. “Hat-trickun” e kompletoi në pjesën e parë, me golat në minutën e 24-t dhe në minutën e dytë të kohës shtesë. Gol tjetër norvegjezi i jashtëzakonshëm shënoi në minutën e 53-të, ndërsa të pestin e shënoi në minutën e 57-të. Do të mund të shënonte edhe ndonjë tjetër sikur Pep Guardiola mos ta zëvendësonte në minutën e 63-të.

Një gol për Cityn e shënoi Ilkay Guendogan. Ai shënoi në minutën e 49-të. Fare në fund, në minutën e dytë të kohës shtesë, Kevin De Bruyne shënoi supergol për fund magjik të një mbrëmje magjike.

  • 1

    Radio