Aktuale Më shumë

Përsëri ndërpriten zgjedhjet në Shavnik

Prej tvteuta17:35, 4 Dhjetor 2022

Në Shavnik është ndërprerë edhe raundi i shtatë i votimit për pushtetin lokal, çka u vendos pas seancës së Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.  Zgjedhjet e radhës në dy vendvotime në ndërtesën e Komunës dhe në Krushevicë do të mbahen më 11 dhjetor.  Mëngjesin e sotëm, dy orë pas hapjes së qendrave të votimit, votimi është ndërprerë në ndërtesën e Komunës, e më pas në Krushevicë.  Arsyeja është e njëjtë si herët e mëparshme, anëtarët e komisionit nga koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” nuk lejuan të votojnë votuesit për të cilët pretendojnë se nuk janë nga Shavniku.

Zgjedhjet lokale në 14 qytete malazeze u mbajtën më 23 tetor.  Ato janë përfunduar në të gjitha komunat, përveç në Shavnik, ku votimi është ndërprerë çdo javë për shkak të parregullsive dhe incidenteve të shumta, pasi disa anëtarë të komisioneve të votimit nuk i kanë lejuar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre. Kundërshtarët kryesorë politikë, pushteti i mëparshëm i qytetit të drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve dhe Fronti Demokratik dhe Demokratët, nga ana tjetër, akuzojnë njëri-tjetrin për pengim të procesit zgjedhor. Nga 23 tetori, restorantet dhe kafenetë në Shavnik të dielave janë të mbyllur, ndërsa në rrugë janë edhe numër i madh i forcave policore.

 

  • 1

    Radio