Aktuale Më shumë

Përfundon saga 15-vjeçare e ashensorit në muret e Kalasë

Prej tvteuta15:55, 19 Tetor 2022

Para disa ditëve poshtë mureve të Kalasë së Ulqinit, u hoqën mbetjet e fundit të skeletit prej hekuri, ose asaj që ishin fillimet e ndërtimit të ashensorit, përfundimi i të cilit nuk u realizua asnjëherë. Me këtë përfundoi saga e këtij objekti kontrovers, i cili në kohën e vet solli edhe kriza politike si dhe përplasje të interesave të ndryshme. Çdo gjë filloi gati para një dekade e gjysëm, kur kompania Real Estate, filloi ndërtimin e këtij ashensori, edhe pse nuk dispononte të gjitha lejet e nevojshme. Kjo solli edhe ndërprerjen e punimeve, por jo edhe fundin e tentativave për ndërtimin e këtij ashensori. Çështja u riaktualizua në vitin 2015, në kohën e kryetarit Fatmir Gjeka, kur u punua plani urbanistik për Ranën, në të cilin parashihej edhe ndërtimi i ashensorit në muret e Kalasë. Kundër ndërtimit të tij, ishte kategorikisht Forca e Re Demokratike, zyrtarët e të cilës thonin se ndërtimi i këtij ashensori, do tu jepte fund shpresave që Kalaja një ditë të anëtarsohet në UNESCO.

Ndërtimi apo jo i ashensorit, dhe qëndrimet e kundërta për këtë të përbërësve të koalicionit, çuan në plasaritjet e para në koalicionin e brishtë që përbëhej nga Forca, Partia Demokratike dhe Mali i Zi Pozitiv,  dhe që në fund shoqëruar edhe me probleme të tjera, çuan në rënien e tij disa muaj më pas. Megjithatë, ashensori nuk ishte vetëm temë politike, por edhe historiko-kulturore, dhe ndërtimi nuk shihej më sy të mirë as nga organizatat e shoqërisë civile.

Xhemal Peroviq nga OJQ MogUL tha se vendimi për ndërtimin i një objekti të tillë në muret e Kalasë, nuk duhej të vendosej nga një komision i rëndomtë, anëtarët e të cilit as nuk janë të njohur nga opinioni publik.

Në anën tjetër, banorët e Ulqini nuk kishin një qëndrim unik nëse ashensori duhej apo nuk duhej të ndërtohej. Arsyetimet e tyre kryesisht kishin të bënim me lehtësimin e qasjes në qytetin e vjetër, pa shumë brengosje se sa kjo do të ndikonte në origjinalitetin e Kalasë mbi 2000 vjeçare.

Në fakt është e vërtetë se ashensorët në qytete të vjetër ekzistojnë edhe në vende të tjera, por në formë që nuk cënojnë origjinalitetin vizual të atij lokaliteti. Profesionistët francez nga ICOMOS në planin e tyre për Kalanë e Ulqinit, kishin planifikuar disa zgjidhje, ndër to edhe ashensorin, por i cili do të ndërtohej në brendësi dhe nuk do të prishte pamjen ekzistuese.

Sidoqoftë, Ulqini the Mali i Zi në periudhën pasuese u përfshin në kriza të vazhdueshme politike, të cilat e lanë në harresë jo vetëm planin e francezëve, por komplet Qytetin e Vjetër, me objektin tjetër famëkeq që shëmtonte Kalanë e Ulqinit dhe origjinalitetin e saj mijëravjeçar.

Me formimin e pushtetit të ri lokal, pas zgjedhjeve të në marsit të vitit aktual, duket se do të ketë disa hapa që mund të çojnë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Largimi i mbetjeve të ashensorit duhej të ishte hapi i parë, e që me shpresë do të përcillet nga shëmbja ose integrimi i ndërtesës gjysëm të ndërtuar në brendësi të qytetit të vjetër. Edhe nëse kjo realizohet, prapë vështirë të arrihet anëtarsimi i Kalasë së Ulqinit në UNESCO. Problemet që e përcjellin këtë janë të shumët, duke u nisur nga modifikimet e kryera nga vetë banorët, e deri tek Mola e Madhe, e cila nuk është pjesë origjinale e qytetit të vjetër, e për çka ende nuk është gjetur një zgjidhje. Në ajr janë shumë paqartësi lidhur me këtë, e vetmja gjë e sigurtë është se anëtarsimi në UNESCO i Kalasë po harrohet gjithnjë e më shumë.

  • 1

    Radio