PDS: Trajtimi çnjerëzor i Veloviqit, po i shkelen të drejtat
Prej tvteuta14:20, 5 Janar 2024
Partia Demokratike e Socialistëve u bën thirrje organeve kompetente shtetërore që të merren në mënyrë adekuate me Veselin Veloviqin, drejtorin shumëvjeçar të Administratës së Policisë së Malit të Zi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim. Ata pohojnë se gjendja shëndetësore e Veloviqit, si dhe, siç thanë, trajtimi çnjerëzor ndaj të cilit është ekspozuar që nga dita e parë e burgimit, meriton reagim publik, para së gjithash, nga aspekti i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të tij themelore të njeriut.
Ata pretendojnë se trajtimi çnjerëzor përfshinte prangosjen në një shtrat për disa javë në Qendrën Klinike të Malit të Zi.
“Duke pasur parasysh trajtimin joadekuat që po merr z. Veloviq, mund të krijohet përshtypja se paraburgimi i tij nuk është caktuar si masë për zbatimin e procedurës penale – që ligjërisht duhet të jetë kështu, por si masë dënimi, që nuk është dhe nuk duhet të jetë fryma e përcaktimit të një mase të tillë”, thanë nga PDS.
Ata thonë se një sjellje e tillë cenon prezumimin e pafajësisë dhe po tentojnë ta gjykojnë Veloviqin edhe para procesit gjyqësor, gjë që, siç deklaruan, është absolutisht e papranueshme
Në fund, ata u bëjnë thirrje organeve kompetente shtetërore që ta mbrojnë Veloviqin nga persekutimi dhe të sigurojnë që ai të realizojë të drejtat e tij themelore të njeriut.
“Dhe të ndalet qëndrimi dhe trajtimi çnjerëzor që ndaj tij kanë individë të sistemit të shtyrë nga urrejtja personale dhe duke shpërdoruar pozitën e tyre”, përfundoi Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi.