Parlamenti i Serbisë miraton deklaratën e “Kuvendit Gjithëserb”
Prej tvteuta1 August 2024

Kuvendi i Serbisë e ka miratuar të mërkurën të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, e cila doli nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar në Beograd. Deklarata – e miratuar më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës – përbëhet nga 49 pika dhe e përmend edhe Kosovën. Aty thuhet se populli serb “përbën një entitet të vetëm” dhe se, ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”. Në takimin e 8 qershorit në Beograd ishte insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës. Agjenci serbe e lajmeve Beta, raporton se Deklarata u miratua me 139 vota pro dhe u duartrokit nga përfaqësuesit e Qeverisë serbe. Nëntë deputetë votuan kundër, ndërsa asnjë nuk abstenoi. Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, nuk ishte i pranishëm gjatë votimit, pavarësisht se ardhja e tij në Kuvendin e Serbisë për këtë ishte paraljamëruar. Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, kishte marrë pjesë në seancën e Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska kur kjo e fundit e votoi Deklarata në Banja Llukë në fillim të këtij muaji, raportoi portali N1. Miratimi i kësaj Deklarate nga Republika Sërpska u dënua nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.