Rajoni/Bota Më shumë

Papa Françesku mbështet korridoret humanitare për emigrantët

Prej tvteuta07:52, 19 Mars 2023

Papa Françesku u takua të shtunën me mijëra refugjatë dhe grupe bamirëse në ndihmë të tyre në përpjekje për të mbështetur rrugë të ligjshme emigracioni drejt Europës, si një alternativë ndaj trafikut të paligjshëm, që sipas tij e ka kthyer detin Mesdhe në një “varrezë”.

Papa Françesku tha se korridoret humanitare që janë krijuar në Itali që nga viti 2016 kanë shpëtuar jetë dhe kanë ndihmuar emigrantët e rinj të ambjentohen.

“Korridoret humanitare nuk synojnë vetëm sjelljen e refugjatëve në Itali apo vende të tjera europiane duke i shpëtuar nga situata që paraqesin rrezik, pasiguri dhe pritje të pafundshme, por ndihmojnë edhe në integrimin e tyre”, tha ai.

Organizata bamirëse “Sant’Egidio”, Federata e Kishave Evangjeliste dhe kisha “Waldensian” përhapën në Itali nismën humanitare për transferimin, që ka sjellë në Europë më shumë se 6000 njerëz, tha Papa Françesku.

Familje nga Siria, Afganistani, Ruanda dhe Ukraina ishin në auditorin e Vatikanit për t’u takuar me Papën.

  • 1

    Radio