Ora e Kryeministrit pas 17 muajsh
Prej tvteuta12:48, 25 Dhjetor 2023
Kryeministri Millojko Spajiq do t’u përgjigjet pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare në seancën e Kuvendit të Malit të Zi të planifikuar për të enjten, më 28 dhjetor. Ora e fundit e Kryeministrit është mbajtur 17 muaj më parë.
Dritan Abazoviq në rolin e kryeministrit është përgjigjur para deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi më 20 korrik 2022.
Menjëherë pas kësaj, nga mesi i gushtit 2022, pasoi një mandat teknik rekord i qeverisë së 43-të, gjatë të cilit kryeministri nuk iu përgjigj pyetjeve të përfaqësuesve të klubeve parlamentare.
Kryetari i ri i Kuvendit të Malit të Zi Andrija Mandiq ka caktuar Orën e Kryeministrit për 28 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00.
“Po mbledh orën e kryeministrit dhe pyetjet parlamentare lidhur me një temë të caktuar”, tha Mandiq.
Afati për paraqitjen e pyetjeve drejtuar Kryeministrit është jo më vonë se 72 orë para fillimit të seancës së posaçme të Kuvendit.
Në rendin e ditës janë pyetjet parlamentare që lidhen me një temë të caktuar.
Siç njofton Kuvendi i Malit të Zi, ministri i Punëve të Brendshme, Danillo Saranoviq do të përgjigjet në pyetjet parlamentare me temën “Veprimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme në kuadër të kompetencave të parapara me ligj”.