Opinion Më shumë

OPINION: Zemra e errësirës

Prej tvteuta12:41, 22 Prill 2022

Shkruan: Bernard Çobaj

“…që njeriu të jetë në gjendje ta zbulojë Hanën, por jo paqen, do të ishte një gabim, bile gabim i madh, një gabim që Njeriu nuk mund ta bëjë”. (Veton Surroi, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës”)

Xhozef Konrad (Joseph Conrad) u lind me emrin Jozef Teodor Konrad Korzeniowski nga prindër polakë në Ukrainën e dominuar nga Rusia, në vitin 1857 (nga këndvështrimi i sotëm, në periudhën kur Rusia po bën agresion ndaj Ukrainës dhe po prodhon krime të rënda lufte, shohim fuqinë e zemrës së errësirës)

Konradi e kishte frëngjishten gjuhë të dytë dhe në Angli mbërriti në moshën 21-vjeçare. Megjithatë, arriti të prodhojë novela në gjuhën angleze, sa tashmë vlerësohet si një prej shkrimtarëve më të mëdhenj në letërsinë angleze.

Zemra e errësirës (Heart of darkness) është titulli i veprës kryesore të Konradit, e botuar në vitin 1902, frymëzuar nga përvoja e shkurtër dhe trazuese e shfrytëzimit belg të Kongos (nga mbreti Leopoldi II).

Temë kryesore e Konradit te Zemra e erresirës është kolonializmi dhe efekti i tij në mendësinë njerëzore. Konradi përmend pushtimin romak dhe kështu vërteton se kolonializmi ekzistonte që në periudhën e hershme të civilizimit njerëzor. Në roman, antiheroi Kërci, i cili është jashtëzakonisht i uritur për fuqinë dhe pozitën, kolonizon brendësinë e Afrikës, Kongon.

Dëshira e një individi për pasuri dhe posedim si dhe dëshira për të shtypur të tjerët mund të krijojë kolonializëm (edhe rasti i Kosovës ishte i ngjashëm në një masë). Në emër të civilizimit dhe edukimit të vendasve, Kërc po ushtron fuqinë e tij të jashtëzakonshme për t’i dominuar ata: fizikisht, ekonomikisht dhe madje edhe seksualisht. Ai e justifikon veprën e tij nën mbulesë, duke thënë se ai po sjell dritë në jetën e egërsirave, por ironia është se ai është lënë në hije nga errësira e vetvetes së tij, vetja primitive. Kërci, agjenti që erdhi me premtimin për të sjellë qytetërimin, shndërrohet në bishë të egër që në fund shpërthen me fjalët: Tmerr! Tmerr! (Horror! Horror!)

Kjo është një ironi për të ashtuquajturin ‘mision për të civilizuar vendasit’ (la mission civilisatrice).

Një temë tjetër po aq e rëndësishme është një udhëtim drejt vetë-zbulimit. Zemra e erresirës është pa dyshim historia e një udhëtimi brenda errësirës së vetes, mendjes sonë.

Zemrën e errësirës së Konradit e përmendëm te shkrimi mbi vështrimin e Eduard Saidit ndaj teorisë së Hantingtonit (Përplasjes së qytetërimeve). Eduard Saidi në vitin 1966 botoi disertacionin e doktoraturës me titull Xhozef Konradi dhe fiksioni i autobiografisë (Joseph Conrad and Fiction of Autobiography) dhe ai vazhdoi të shkruante për romancierin polak në librat e tij të mëpasshëm; në Refleksionet e tij mbi mërgimin dhe Kultura e Imperializmi.

Të dy shkrimtarët u larguan nga atdheu, të dy u bënë shkrimtarë në mërgim dhe të dy ia kushtuan jetën shpjegimit – vetes dhe lexuesve – se çfarë do të thotë të jesh i çrrënjosur (out of place), i shkëputur nga e kaluara, duke qenë dëshmitar i zbehjes së identitetit. Të dy vendosën të shkruanin në anglisht dhe shpejt mësuan se ndjenja e identitetit të dikujt ka të bëjë shumë me gjuhën (për shembull, kur shkruani për fëmijërinë tuaj në një gjuhë të huaj). E fundit, por jo më pak e rëndësishme, të dy njohën dhe përshkruan lidhjet midis kulturës dhe dhunës, gjuhës dhe pushtetit, narrativit të dominimit.

Eduard Saidi shprehet se Zemra e errësirës është përballja më e pakompromis, e pafrikë me të paarsyeshmen dhe të panjohurën – në çdo kuptim të fjalës: politik, psikologjik, gjeografik, kulturor – që ka ndodhur ndonjëherë.

Zemra e errësirës, pavarësisht kritikës së saj jashtëzakonisht bindëse, jashtëzakonisht çorientuese dhe të pakursyer e të pamëshirshme ndaj imperializmit perëndimor dhe aparateve të tij eurocentrike, nuk mund të shohë përtej kornizës imperialiste, nuk mund të kuptojë se ajo që regjistron si një ‘errësirë joevropiane ishte në fakt një botë jo-evropiane që i reziston imperializmit në mënyrë që një ditë të rifitojë sovranitetin dhe pavarësinë’.

Filmi epik i Frensis Ford Kopolës i vitit 1979 Apocalypse Now (Apocalypse Now (1979) – IMDb) u bazua te vepra e Konradit, ku Marlon Brando shfaqet në rolin e Kërcit. Kujtojmë pjesën kah fundi kur reciton pjesë nga poema Hollow Men (Njerëz bosh) të nobelistit T. S. Eliiot (shih videon më poshtë). Poema Hollow men fillon me linjën nga vepra e Konradit Mista Kurtz is dead (Vdiq zotëri Kërci).

Këtë vit, po ashtu, shënohet njëqindvjetori i poemës Waste Land (Toka e shkretuar) e T. S. Eliot, poetit më erudit ndonjëherë, që së bashku me Uliksin e Xhojsit paraqesin kulmet e modernizmit të lartë në letërsi.

Toka e shkretuar sjell imazhet e botës pas Luftës së Parë Botërore dhe ngjarjet e sotme janë alarm se sa lehtë mundet njerëzimi të rrëshqasë në gjendje të shkretuar dhe të rikthejë zemrën e errësirës në epiqendër të botës. Toka e shkretuar, figurativisht, pulson në zemrën e errësirës.

  • 1

    Radio