Operacioni antikanabis në Shqipëri: Asgjësohen bimë narkotike, arrestohen disa persona
Prej tvteuta17:27, 20 Gusht 2023
Policia e Shqipërisë ka nisur ditët e fundit një aksion të madh kundër prodhimit të kanabisit në veri të vendit. Kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
Në megaoperacion janë angazhuar 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike. Si rezultat i kontrolleve dhe përdorimit të dronëve, janë asgjësuar në total 24 220 bimë narkotike cannabis sativa.
-Po gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis. U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre. Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.