Oferta turistike dimërore prezantohet në Shqipëri
Prej tvteuta3 December 2016
Organizata Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi në kuadër të fushatës rajonale “Mali i Zi: dielli, bora dhe deti”, prezantoi ofertën turistike dimërore dhe atë të festave të fundvitit në tregun shqiptar. Promovimi u organizua me 1 djetor në Tiranë dhe 2 dhjetor në Shkodër, në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Shqipëri, organizatat lokale të turizmit dhe industrinë turistike. Në promovimin e mbajtur në Tiranë pjesëmarrësit i përshëndeti Ambasadori i Malit të Zi në Shqipëri Dushan Merdoviq. Ai tha se Mali i Zi dhe Shqipëria për shumë vite kanë marrëdhënie të mira dypalëshe, dhe se pret që bashkëpunimi në fushën e turizmit në periudhën e ardhshme të jetë në një nivel edhe më të lartë. Ai theksoi rëndësinë e lidhjes infrastrukturore dhe njoftoi se pritet rinovimi i linjave të transportit detar midis Tivarit, Shkodrës, Ulqinit, Budvës, Durrësit dhe Sarandës, nga të cilat të dy vendet do të kishin përfitime të përbashkëta. Gjatë konferencës për shtyp, biznesmenë dhe përfaqësues të organizatave turistike lokale të Zhabljakut, Budvës, Tivarit, Ulqinit dhe Podgoricës, folën për ofertat dhe marrëveshjet për festat e Vitit të Ri. Ata i ftuan mysafirë nga Shqipëria që Vitin e Ri 2017 ta presin në Mal të Zi me muzikë nga këngëtarët dhe grupet më të njohura të vendit dhe rajonit, si në tregje, ashtu edhe në hotele dhe klube në bregdet dhe në veri të Malit të Zi.