Aktuale Më shumë

Nuk rrezikohet pagesa e shtesave të fëmijëve

Prej tvteuta14:29, 1 Qershor 2022

Mjetet për pagesën e shtesave për fëmijë janë paraparë në buxhet dhe nuk rrezikohet pagesa e planifikuar që nga shtatori, njoftoi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Duke pasur parasysh interesimin e madh të publikut dhe medias për pagesën e shtesës së fëmijëve, e cila është planifikuar që në shtator të këtij viti, ju informojmë se Ligji për Buxhetin për vitin 2022 ka planifikuar mjete në vlerë prej 27.4 milionë euro për këtë qëllim”, thuhet në njoftim.

Ribalanci teknik i buxhetit në muajin maj parasheh mjete për pagesën e shtesës së fëmijëve për fëmijët nën 18 vjeç në përputhje me ligjin.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është duke punuar në hartimin e të gjitha udhëzimeve për prindërit lidhur me aplikimet, ndërsa publiku do të njoftohet me kohë për mënyrën dhe kushtet e aplikimit për shtesën për fëmijët nën 18 vjeç”, thonë nga Departamenti i Qeverisë.

Deri më tani janë paguar afër nëntë milionë euro për shtesa për fëmijë.

“Dhe në fund të vitit kanë mbetur mbi 18.5 milionë për pagesën e shtesave për fëmijë. Nga sa rezulton më lartë pra lëmë të kuptohet se fondet për pagesën e shtesës së fëmijëve janë të parashikuara në buxhet dhe se nuk rrezikohet pagesa e shtesës për fëmijë, të cilën e kemi planifikuar të fillojë nga shtatori”, ka përfunduar Ministria.

  • 1

    Radio