Nimanbegu: “Kërkojmë përgjigje nga autoritetet shëndetësore”
Prej tvteuta4 November 2024
Nga pakujdesia në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar gjatë lindjes, Drita Tafa pas pak javësh humbi betejën me jetën. Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ka shkruar në Facebook se qytetarët janë të tronditur dhe po kërkojnë përgjigje se pse ka ndodhur tragjedia. Ai u bën thirrje autoriteteve shëndetësore të japin një përgjigje. Drejtori i spitalit, Igor Karishik, për Portalin e Radio Televizionit të Malit të Zi ka thënë se akuzave të bëra ndaj spitalit do t’i përgjigjet pasi të ketë kontrolluar dokumentacionin mjekësor dhe të bisedojë me gjinekologun kompetent dhe shefen e gjinekologjisë. “I gjithë Ulqini sot është i tronditur nga humbja e jetës së Dritës. Nënë e tre fëmijëve dhe bashkëshorte shembullore. Qytetarët e Ulqinit e sidomos familjarët e saj kanë nevojë për përgjigje se pse ndodhi kjo tragjedi”, ka shkruar Nimanbegu. Ai theksoi se nuk ka vend për politikë dhe populizëm. Thjesht, institucionet shëndetësore duhet të na japin përgjigje – në këtë rast duhet të reagojnë urgjentisht dhe institucionalisht mjekët, spitali i Tivarit dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha ai. Sipas tij, komuna e Ulqinit do të kontaktojë me të gjitha institucionet e nevojshme. “Ne kemi vite që kërkojmë ngritjen e nivelit të shëndetësisë në komunën tonë. Qeveria tani e ka detyrimin të reagojë”, përfundoi Nimanbegu.