Nga 56 mijë kërkesa për legalizim janë miratuar 2.8 mijë
Prej tvteuta12:49, 4 Nëntor 2023
Që nga viti 2018, në Malin e Zi janë paraqitur rreth 56 mijë kërkesa për legalizimin e ndërtesave të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Deri më tani janë miratuar 2,820 vendime për legalizimin, dhe në bazë të tarifës për rehabilitimin urban, janë mbledhur gjashtë milionë euro. Kështu është shprehur për media zonja Radmilla Lainoviç nga Ministria e Urbanizmit.
“Procesi i legalizimit filloi me hyrjen në fuqi të Ligjit për Planifikimin Hapësinor dhe Ndërtimin e Objekteve në vitin 2018, kur filloi afati i paraqitjes së kërkesave për legalizim. Gjatë kësaj periudhe u paraqitën rreth 56 mijë kërkesa për legalizim në të gjitha komunat”, tha Lainoviq.
Më tej ajo shtoi se ministria e linjës po mbikqyr procesin ndërsa njësitë e vetëqeverisjes lokale po kryejnë procedurat e legalizimit.
“Ata gjithashtu raportojnë çdo tre muaj për numrin e kërkesave të marra, dhe kërkesave të miratuara…”, shpjegon Lainoviq.
Ajo tha se deri tani kanë nxjerrë 2.818 vendime legalizimi.
“Që është një numër i vogël në krahasim me numrin e aplikimeve të paraqitura. Por nga këto 56,000 aplikime janë rreth 20,000 të tilla që janë në proces të plotësimit të dokumentacionit ose të shtyrjes së procedurave” sqaroi ajo.
Gjithashtu Lainoviq thotë se ligji përcakton se një vendim për legalizimin mund të merret nëse objekti është në një orto-foto nga viti 2017 ose 2018 dhe nëse përputhet me udhëzimet me parametrat bazë urbanë që lidhen me zonën ku ndodhet ndërtesa e paligjshme.
Ajo vuri në dukje se Ligji është ende në fuqi dhe se legalizimi mund të fillohet dhe të përfundojë dhe se shumë gjëra varen nga vetë ndërtuesit e paligjshëm.
“Deri tani, janë mbledhur mbi gjashtë milionë tarifa të ndreqjes urbane. Gati gjysma e kësaj sasie u mblodh në kryeqytet. Këto tarifa janë më të larta në Podgoricë dhe në pjesën jugore, ndërsa në veri janë më të ulëta. Ky çmim përcaktohet nga organet e vetëqeverisjes lokale”, përfundon Lainoviç.