Aktuale Më shumë

Në Ulqin aktualisht janë mbi tetë mijë mysafirë të regjistruar

Prej tvteuta12:11, 23 Qershor 2024

Në Ulqin aktualisht po qëndrojnë rreth 8432 mysafirë të regjistruar, bëri të ditur drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Qazim Hoxhiq, dhe shtoi se hotelet më të mëdha në atë qytet shënojnë frekuentim të shkëlqyeshëm dhe se në fillim të sezonit më së shumti mysafirët ishin nga Kosova.

“Sigurisht që ka edhe mysafirë nga Serbia, të cilët janë rreth 20 për qind të numrit të përgjithshëm, pesë për qind janë gjermanë, shtatë për qind janë mysafirë nga Bosnja dhe Hercegovina dhe katër për qind janë nga Polonia. Mund të themi se rajoni ende dominon në Ulqin”, tha Hoxhiq për Media biro.

Ai beson se, duke gjykuar nga të dhënat e periudhës parasezonale dhe rezultatet pozitive në qershor, Ulqini pret një sezon të mirë turistik veror.

Hoxhiq tha se Ulqini kohëve të fundit është zgjeruar shumë dhe se investitorët e huaj janë dukshëm në numër të madh.

“Vërehet një numër i madh i ish turistëve tanë, të cilët tani janë pronarë të patundshmërive në Komunën e Ulqinit. Si organizatë kemi zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe eventesh. Ulqini u vizitua nga operatorë turistikë, shtëpi mediatike, si dhe agjenci nga rajoni dhe operatorë turistikë nga Gjermania”, tha Hoxhiq.

Ai beson se Ulqini është interesant për turistët për shkak të madhësisë së plazheve dhe bukurisë natyrore.

“Çdo mysafir në Ulqin mund të gjejë diçka interesante. Po punojmë intensivisht në shënjimin e shtigjeve të ecjes dhe formimin e një klubi hiking. Skena verore fillon në korrik, ashtu si dhe Oldtimer Fest. Për muajin shtator kemi planifikuar ngjarje të shumta kulturore dhe argëtuese, me qëllim të zgjatjes së sezonit veror Tuist”, tha Hoxhiq.

Ai tha se promovimi i qytetit është në masë të madhe për shkak të biznesmenëve të cilët me aktivitetet që organizojnë, si sportet ujore në Plazhin e Madh, kontribuojnë në një ofertë më të mirë turistike.

Hoxhiq ka bërë të ditur se në Ulqin janë nëntë pika informative.

 

“Vitin e kaluar lansuam aplikacionin RB 90 përmes të cilit çdo pronar mund të regjistrojë mysafirët e tij online, gjë që sigurisht e lehtësoi këtë procedurë. Jemi shumë të kënaqur, sepse numri i përdoruesve po rritet”, tha Hoxhiq.

  • 1

    Radio