Ne i qasemi me kujdes përzgjedhjes së diplomatëve – duam që njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur
Prej tvteuta13:38, 22 Dhjetor 2023
Gjatë vizitës së tij në Bruksel, kryeministri Millojko Spajiq ka takuar pjesëmarrësit e Akademisë Diplomatike Evropiane, me të cilët ka diskutuar për perspektivën evropiane të Malit të Zi, pritjet nga anëtarësimi dhe rëndësinë e integrimit për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Siç njoftoi Qeveria e Malit të Zi, Spajiq ka folur për përvojat e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian me theks të veçantë në situatën aktuale në fushën e politikës së brendshme, e cila, siç theksoi, paraqet një mbështetje të fortë për integrimin evropian pas vite turbulence.
“Rreth 80% e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në Mal të Zi, më në fund ekziston një shumicë e qëndrueshme politike e gatshme për t’iu përgjigjur pritshmërive të qytetarëve dhe për të dhënë rezultate në atë drejtim”, tha Spajiq.
Kryeministri diskutoi për rëndësinë e diplomacisë me pjesëmarrësit e akademisë diplomatike dhe i njoftoi ata për gjendjen aktuale në Mal të Zi.
“Ne jemi të vetëdijshëm se rrjeti diplomatik-konsullor ka qenë mjaft i dobësuar në vitet e kaluara. Prandaj, Qeveria i qaset të gjitha proceseve, përfshirë edhe këtë, me përgjegjësi dhe përkushtim. Një strukturë e re diplomatike nuk mund të krijohet “brenda natës”. Është një proces që ne e trajtojmë me kujdes dhe duam që njerëzit e duhur të jenë në vendin e duhur. Kjo është mënyra e vetme për të arritur qëllimet e përcaktuara”, tha ai.
Gjatë takimit u bisedua për mundësitë në Bashkimin Evropian, veçanërisht për nevojën e dinamizimit të politikës së zgjerimit, dhe u vlerësua se pranimi i anëtarëve të rinj është i rëndësishëm si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë idenë e bashkimit evropian.
Në takimin e zhvilluar në ambientet e Misionit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian mori pjesë edhe ambasadori Petar Markoviq. Ai ka theksuar se në komunikim me rektoren Federica Mogherini është duke u shqyrtuar mundësia e mbajtjes së një prej ligjëratave të Akademisë në Misionin e Malit të Zi në BE.
“Qëllimi ynë është që pjesëmarrësit të njihen me punën e përfaqësisë diplomatike-konsullore, e cila është e para në radhë për t’u bërë Përfaqësimi i Përhershëm i shtetit të ardhshëm anëtar në Bruksel”, tha ai.
Akademia Diplomatike Evropiane është një projekt pilot i organizuar nga Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme dhe Kolegji i Evropës në Bruges, synimi i të cilit është të rritet në një akademi të përhershme që do të edukojë diplomatët e shteteve anëtare mbi vlerat, prioritetet dhe qasjen e përbashkët ndaj diplomacisë.