“Ne dënojmë sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj Kishës Ortodokse Serbe”
Prej tvteuta16:14, 27 Gusht 2023
Koalicioni “Për të Ardhmen e Malit të Zi” dënoi ashpër, siç thonë ata, sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe famullitarit të Rozhajës At Sllobodan Radojeviq.
“Ato sulme vijnë nga të njëjtat kuzhina politike dhe duan të prishin harmoninë kombëtare dhe marrëdhëniet e mira ndërpersonale për të cilat njihet Rozhaja. Është veçanërisht shqetësuese që këto sulme verbale po shndërrohen ngadalë në qëndrim politik të disa zyrtarëve vendorë dhe po zyrtarizohen si platformë politike”, thuhet në reagimin e ”Për të Ardhmen e Malit të Zi”.
Ata thonë gjithashtu se kjo sigurisht nuk është rruga në të cilën duhet të shkojnë Rozhaja dhe Mali i Zi.
“Kisha dhe bashkësitë e tjera fetare janë të ndara nga shteti në të drejtat dhe liritë e tyre dhe u takon bartësve të pushtetit shtetëror dhe atij lokal të sigurojnë një mjedis ligjor dhe social për funksionimin normal të Kishës dhe të komuniteteve të tjera fetare, sepse sipas Kushtetutës dhe ligjit të gjithë duhet të kenë të drejta të barabarta”, thuhet në reagim.
Ruajtja e marrëdhënieve të mira ndëretnike, siç thonë në koalicionin ”Për të Ardhmen e Malit të Zi”, duhet të mbetet prioritet për të gjithë ata që kryejnë me përgjegjësi funksionet publike, sepse diversiteti është në fakt pasuria dhe cilësia më e madhe e Malit të Zi dhe qytetarëve të tij.
“Duhet të mësojmë ta vlerësojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin me të gjitha veçoritë tona fetare dhe kombëtare dhe se kjo është në fakt rruga e vetme korrekte që duhet të ndjekë Mali i Zi”, përfundon reagimi.