Myftiu i Kosovës Naim Trnava për vizitë në Ulqin
Prej tvteuta13:53, 13 Nëntor 2015
Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës Naim efendi Trnava me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u takua sot me kryeimamin e Bashkësisë Islame të Ulqinit, Ali efendi Bardhin.
Fillimisht Myftiu i Kosovës z. Trnava u takua me Reisin e Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat efendi Fejziq për të vijuar me takimin e radhës në Bashkësinë Islame të Ulqinit.
Z.Trnava u shpreh se Bashkësia Islame e Kosovës në vazhdimësi është e interesuar për rrjedhat e përgjithshme të vëllezërve dhe motrave që jetojnë jashtë territorit të Kosovës. Hapi i parë do të jetë dhurata e një kontejneri të librave fetare Bashkësisë Islame të Ulqinit.
“Jemi vëllezër të një gjaku dhe feje, brengat që ka ky popull janë edhe brengat e popullit të Kosovës “ –shprehet efendi Trnava.
Qëndrimi i tij ndaj vahabistëve është i qartë, ata që e kuptojnë drejtë fenë Islame nuk mund të kenë qëndrim tjetër. Radikalizmi,ekstremizmi,vehabizmi,nuk kanë të bëjnë asgjë me fenë islame . Nuk ka asgjë mbi interesin nacional e fetar që ka kultivuar tolerancën fetare të ruajtur me shekuj të tërë.
Kryeimami i Bashkësisë Islame në Ulqini Ali Efendi Bardhi takimin e vlerësoi tepër të frytshëm.
“Kemi premtime që do të furnizohemi me një fond prej 3000 ekzemplarësh të librave fetare,por nga Myftiu Trnava morëm edhe një premtim, ndërtimin e xhamisë në Ulqin që do të quhej xhamia e Kosovës si shenjë mirënjohje popullit të Ulqinit për strehimin e refugjatëve kosovar gjatë luftës”, tha në mes tjerash kryeimami Ali efendi Bardhi.