Opinion Më shumë

Mos(interesim) i duhur  për artin pamor  dhe muzikor në Ulqin

Prej tvteuta16:29, 11 Prill 2016

Gjekë Gjonaj

Pak publik  në Galerinë e Arteve dhe në Qendrën Kulturore të Ulqinit.  Ky ishte realiteti  i hidhur dhe  jo i kënaqshëm  në dy aktivitete  të veçanta artistike  që u zhvilluan fundajvën që lamë  pas  për nder të kremtimit të  Ditës së Ulqinit. Kjo shprehi e mungesës së kulturës  të publikut ulqinak  për të vizituar  veprat e mirëfillta të artit pamor   u përsërit për të satën herë edhe  të prëmten e kaluar në ekspozitën   e përbashkët  të shtatë piktorëve akademikë vendas: Rudi Goga, Mersiha Resulbegoviqi-Mavriqi, Bilal Nikeziqi, Jozo Koçoviqi, Vahida Hasanaga – Nimanbegu, Naser Hasa dhe Edin Kapllani. Këta artistë  të njohur  me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare për artëdashësit  kishin ekspozuar 18 vepra të qëndrueshme artistike, që u përkisnin gjinive të ndryshme , varësisht nga përceptimet dhe ndjesit e artistëve. Çfarë thesari! Thesar i vërtetë artistik, kulturor e shpirtëror.  Poashtu edhe një vlerësim  brilant , i thelluar e meritor i prof.dr. Ruzhdi Ushakut për veprat e ekspozuara  i shoqëruar edhe  me fjalën e hapjes së kësaj ekspozite të kryetarit të sapoemëruar të Komunës së Ulqinit  Nazif Cungut. Mirëpo të  gjitha këto vlera artistike  të vendosura në mur  ndiheshin të vetmuara në mungesë të publikut ulqinak.  Pikturat  e ekspozuara prisnin  që pranë tyre të ishin sa më shumë  artëdashës,  të bisedonin  dhe t’i komentonin  ato.  Nga ana tjetër  pritej që publiku vendas   të kënaqej  me bukurinë e  këtyre pikturave  shumëngjyrëshe dhe me mesazhet  që  përcjellin ato tek njerëzit.  Është për të ardhur keq që këto vlera të pamohueshme të artit pamor  të krijuara  me mjeshtri, intuitë, ndiesi, dashuri, përkujdesje  e profesionalizëm  nga piktorët e përmendur ulqinakë nuk zgjuan  vëmendjen e  duhur të bashkëqytetarëve  të tyre. Këta të fundit harruan  se artisti është biri më i mirë i një populli. Harruan   thënien e Tolstoit:“Arti është pasqyra e jetës” , sikurse edhe thënien e Hegelit: “Kur artisti zbulon realitetin e ri ai s’e bën këtë për vete, ai e bën ketë për të tjerët, për të gjithë ata që duan të dinë në çfarë bote jetojnë, nga vijnë dhe ku shkojnë. Ai prodhon për bashkësinë”.

Mosinteresim  edhe më i madh i publikut ulqinak ishte në  koncertin simfonik të të rinjëve të Malit të Zi dhe Shqipërisë, i cili u  shfaq në Qendrën Kulturore të Ulqinit të shtunën në mbrëmje.   Në skenë ishin ngjitur  shumë  muzikantë të rinj e të reja nga Mali i Zi dhe Shqipëria bashkë me dirigjentin e mrekullueshëm  Daniel Glineur nga Belgjika. Çdo gjë ishte në vendin e duhur. Organizimi. Zërimi.Ndriçimi. Ajo që i mungoi këtij spektakli muzikor përsëri ishte publiku.   Më se dy të tretat  e sallës ishin boshe edhe pse koncerti ishte falas.  Disa dhjetra   dashamirë të artit muzikor ishin shpërndarë nëpër   hapësirat e gjëra të  kësaj salle për të dëgjuar  dhe për të shijuar tingujt e ngrohtë  muzikor  që dilnin harmonishëm nga  lloj-lloj  veglash e insturmetesh muzikore. Në pamje të parë  asgjë shqetësuese, sepse nuk është hera e parë që salla e Qendrës Kulturore e Ulqinit  nuk mbushet. Por kësaj here nuk do të duhej të ishte kështu, pasi që bëhej fjalë për një aktivitet që zhvillohej në kuadër të bashkëpunimit në mes të institucioneve të kulturës të dy shteteve.  Munguan atë mbrëmje personalitetet më të njohura të  kulturës,  shkencës dhe  politikës të komunës. Vërtetë u  ndjeva keq për mesazhin që  dha salla  më se gjysmë e zbrazur pikërisht  ne Ditën e Ulqinit.  Besoj jo vetëm unë.  Ndoshta edhe të tjerët që   e ndoqën koncertin. Muzikantët mysafirë nga  Mali i Zi,  Shqipëria    dhe  Belgjika kam bindjen se,  edhe përkundër duartrokitjeve të shumta me meritë  nga publiku i pakët, janë ndier  edhe më keq se sa unë, apo ne, pasi që me siguri kanë pritur diçka ndryshe.  Në këtë rast treguam  se  na mungon  shprehia  për ndjekjen e  koncerteve të këtilla muzikore, të cilat  në qytete me më shumë traditë dhe kulturë muzikore  se  Ulqini kërkohet  një biletë më shumë.  Pse mungon kjo kulturë në këtë qytet kaq të lashtë ? Për shumë arsye. Po përmendim  vetëm sipas nesh më kryesoret. Në Ulqin nuk ka  teatër  as kinema. Pastaj është shumë keq dhe me dëme të pariparueshme  që shkollat  e  këtij qyteti shumë rrallë, për të mos thënë  hiç fare i dërgojnë fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme të konsumojnë produktet kulturore  në ato pak isntitucione ekzistuese të kulturës. Duhet gjetur  forma që kjo kulturë të shtrihet dhe të na kthehet në shprehi prej shkollave fillore dhe të mesme, pasi që  në mungesë të Teatrit të Kukullave këtë shprehi nuk mund ta kultivojmë që prej kopshteve ( çerdheve).

Personat që i udhëheqin institucionet e këtushme të  kulturës   duhet të jenë më të impenjuar për artin. Duhet të jenë  më kreativë për të shfrytëzuar metoda të ndryshme që t’i ofrojnë më shumë qytetarët e këtij qyteti  me ambijentet ku prodhohet kultura e arti dhe të ambijentohen me efektin e tyre.  Gjithësesi duhet punuar që të na krijohet kjo shprehi. Brezat  e pakulturuar janë po aq të rrezikshëm  sa ata të pa arsimuar.

Ulqini si vend i njohur turistik nuk duhet t’i josh mysafirët  dhe pushuesit  vetëm me kënaqësinë e ujërave të kaltëra e të pastra të detit, as me rrezet  përcëlluese të dilellit, as me bukurinë që natyra ia ka dhuruar pa kursim, as me  pikat e shumta turistike, historike,  kulturore ,  arkeologjike etj.,por duhet të bashkëbisedojë me ta edhe me gjuhën e pentagramit dhe penelit të artistëve të tij.

  • 1

    Radio