Millatoviq të martën me Von der Leyen
Prej tvteuta14:41, 29 Tetor 2023
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq do të bisedojë të martën me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila do të qëndrojë për vizitë në Malin e Zi.
Nga shërbimi informativ presidencial u bë e ditur se takimi me Von der Leyen është një mundësi për të diskutuar për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), si dhe për përmirësimin e bashkëpunimit me BE-në.
“Për Malin e Zi, kjo vizitë është e rëndësishme në kontekstin e diskutimeve mbi arritjet e kaluara, si dhe reformat e mëtejshme të nevojshme që synojnë përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, thuhet në deklaratë.
Raportohet se Millatoviq do të diskutojë me Von der Leyen “Platformën e Përbashkët për Malin e Zi në BE!”, një nismë që synon arritjen e një konsensusi të fortë politik rreth përshpejtimit të rrugës evropiane të Malit të Zi.