Millatoviq: Rezultatet e zgjedhjeve në Podgoricë do ta ndalin cirkun politik
Prej tvteuta12:56, 27 Gusht 2024
Rezultatet e zgjedhjeve në Podgoricë dhe fitorja e listës “Për një Podgoricë më të mirë – Jakov Millatoviq” do ta ndalin cirkun politik, tha sot në Podgoricë presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq.
Millatoviq mori pjesë në prezantimin e listës së Podgoricës, duke thënë se ka zgjedhur të mos e kthejë kokën përballë praktikave të këqija, qofshin ato në nivel lokal apo shtetëror.
“Unë zgjedh të luftoj për një Mal të Zi dhe Podgoricë më të mirë. Mora vendimin të marr pjesë në zgjedhjet në Podgoricë dhe të qëndroj përballë njerëzve që kam besim,” tha ai.
Ai pretendon se autoritetet synonin ta detyronin të bënte foto me ambasadorët, të udhëtonte nëpër botë dhe të nënshkruante ligje të çuditshme.
“Ata nuk e kuptojnë se Stara Varosh, ku kam lindur, Zabjello, ku jam rritur dhe Aeroporti i Vjetër, ku ende jetojnë prindërit e mi janë më të rëndësishme për mua se Singapori dhe Saint Tropez,”, tha Millatoviq.
Millatoviq beson se pas gjithçkaje qëndron frika nga përfshirja e tij në zgjedhjet e Podgoricës.
Abazoviq: Qeveria aktuale është shumë joserioze, qytetarët nuk duan diletantë
Lideri i Lëvizjes Qytetare, Dritan Abazoviq, tha se Millatoviq mori një vendim të guximshëm për të sponsorizuar këtë listë dhe vendosi emrin dhe mbiemrin e tij.
“Deri më tani ai e ka kryer punën e tij pa gabime. Qytetarët nuk duan diletantë që nuk kanë fije politike, duan një qeveri të përgjegjshme. Qeveria aktuale është shumë joserioze dhe e papërgjegjshme”, konsideron Abazoviq.
Duke iu referuar Luka Rakçeviqit, kandidatit për kryetar komune, Abazoviq tha se nuk ka asnjë person që meriton të jetë kryetar i Podgoricës më shumë se ai.
Rakçeviq falënderoi për mbështetjen, duke thënë se lista “Për një Podgoricë më të mirë” është një bllok i fortë qytetar që tashmë ka fituar.
“Sot, së bashku, po gjurmojmë rrugën e Podgoricës evropiane. Këta janë njerëz që e duan këtë qytet, dhe fitorja jonë do të jetë fundi i nacionalizmit, nepotizmit dhe krimit. Historia jonë është një histori fitimtare dhe më 29 shtator, një epokë e re do të fillojë për Podgoricën dhe Malin e Zi”, tha Rakçeviq.