Millatoviq pajtohet me qëndrimin amerikan për qeverinë
Prej tvteuta10:13, 21 Shtator 2023
Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, pajtohet me qëndrimin e SHBA-së për qeverinë e Malit të Zi, transmeton Zëri i Amerikës.
Escobar ndodhet në Nju Jork me rastin e seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku diskutoi dhe planifikon të takohet me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai gjithashtu theksoi se diplomatët amerikanë në delegacionin malazez, konkretisht presidenti Millatoviq, kanë parë mirëkuptim lidhur me nevojën që partitë pro-evropiane të formojnë Qeverinë.
“Presidenti Millatoviq pati takime të rëndësishme dhe produktive me këshilltarin Shole, sekretarin e shtetit dhe përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qartë se ne dëshirojmë që qeveria të përbëhet ekskluzivisht nga parti të fokusuara në integrimin evropian dhe të përkushtuar ndaj NATO-s, të cilat ndajnë qëndrimin tonë në lidhje me Rusinë. Mendoj se ne ishim shumë të qartë për këtë dhe ai sinjalizoi se ishte dakord me këtë. Ne duam të formojmë një qeveri dhe të bashkojmë partitë. Ai si kreu i shtetit ka një rol shumë të rëndësishëm për të përcjellë mesazhin e duhur tek njerëzit. Ndaj jemi të bindur se ai e ka kuptuar atë që ne i kemi përcjellë”, ka saktësuar Escobar
Diplomati amerikan megjithatë shprehu shqetësimin se Ballkani Perëndimor, siç theksoi, po zhvillohet me dy shpejtësi.