Millatoviq në samitin e OKB-së në Nju Jork
Prej tvteuta17 September 2023

Nën kujdesin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të marrë pjesë në forumin e nivelit të lartë politik mbi qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm, më 18 dhe 19 shtator, njoftoi Kabineti i Millatoviq. Krerët e shteteve dhe qeverive thuhet se do të mblidhen në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për të shqyrtuar progresin dhe për të dhënë drejtim politik për zbatimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, si dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. “Millatoviq do të flasë në dialogun e lidershipit “Forcimi i politikave dhe institucioneve të integruara publike për arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm”, i cili duhet t’i përgjigjet pyetjes për kapacitetet e nevojshme të institucioneve për të forcuar më tej politikat dhe aktivitetet publike në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe të identifikohen pengesat në rrugë”, theksohet në njoftim. Samiti, i cili përfaqëson qendrën e punës së OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm, do të hapet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Gutierrez, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Denis Francis dhe Paula Narvaez, Presidente e Këshillit Ekonomik dhe Social. Miratimi i një deklarate politike në këtë Samit do të jetë një sinjal i rëndësishëm për vendet anëtare në fillim të javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Kjo është një nga ngjarjet kryesore të nivelit të lartë në javën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe mbahet çdo katër vjet. Samiti i këtij viti duhet të tregojë unitet dhe të shënojë fillimin e një faze të re të veprimit më vendimtar dhe më të shpejtë për të arritur qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm. Këto synime janë të rëndësishme sepse arritja e tyre siguron një të ardhme më të mirë dhe lë një mjedis më të shëndetshëm, më të pastër dhe më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm”, thuhet në deklaratë. Si përkujtim, Axhenda 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm përfshijnë tema të rëndësishme me rëndësi sociale si: shëndetësia, arsimi, lufta kundër varfërisë, reduktimi i pabarazisë, barazia gjinore, puna e denjë, stabiliteti, sfidat klimatike, paqja dhe institucione të forta.