Millatoviq në samitin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor
Prej tvteuta09:33, 13 Dhjetor 2023
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq do të marrë pjesë sot në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të Ballkanit Perëndimor në Bruksel.
Samiti është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe nevojën për arritje të qëndrueshme dhe të pakthyeshme reformuese të partnerëve, bazuar në vlerat dhe parimet e Unionit, është njoftuar në web faqen e Këshillit të BE-së.
Millatoviq do të marrë pjesë në Samit me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në letrën e ftesës thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropiane, e cila është gjithashtu një imperativ gjeostrategjik, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Prioriteti i integrimit europian do të jetë përshpejtimi i zbatimit të reformave të nevojshme, përkushtimi i përbashkët ndaj vlerave dhe parimeve europiane, si dhe respektimi i politikave dhe vendimeve të BE-së”, thuhet në letër.
Shtohet se në të njëjtën kohë duhet të përmirësohet integrimi gradual në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë sa më afër BE-së dhe qytetarët të ndjejnë përfitimet.
Parakushtet për këtë janë, siç theksohet në letër, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Takimi i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor po organizohet në prag të seancës së dhjetorit të Këshillit Evropian.
Takimi i fundit i liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është mbajtur vitin e kaluar në Tiranë.