Aktuale Më shumë

Millatoviq i dorëzoi Ambasadores Popa Urdhërin e Meritave të Veçanta

Prej tvteuta15:22, 5 Gusht 2024

Presidenti Jakov Millatoviq i dorëzoi ambasadores së Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Oana Kristina Popa, Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi të shkallës së dytë, që i jepet për shërbime të veçanta Malit të Zi.

Siç është njoftuar nga Kabineti i Presidentit, në një bisedë të hapur dhe të përzemërt, Millatoviq falënderoi ambasadoren për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në përparimin e Malit të Zi në rrugën evropiane.

“Sot, këtu në Cetinë, ambasadores së Bashkimit Evropian, znj. Popa, i dhashë Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi të shkallës së dytë për përpjekjet e saj për afrimin e Malit të Zi me Bashkimin Evropian. E ardhmja evropiane e Malit të Zi dhe anëtarësimi ynë i plotë në Bashkimin Evropian në vitin 2028 është përpjekja jonë e përbashkët, të cilën duhet ta bëjmë së bashku me institucionet e BE-së. Dera është e hapur për ne dhe në periudhën e ardhshme kemi përgjegjësi edhe më të madhe që të kalojmë sa më shpejt nga ajo derë”, tha presidenti Millatoviq.

Ai shprehu besimin se Komisioni i ardhshëm Evropian do t’i përkushtohet politikës së zgjerimit që nga fillimi i mandatit të ri, veçanërisht kur bëhet fjalë për Malin e Zi, i cili do të jetë një nxitje dhe mesazh për vendet e tjera kandidate se procesi i zgjerimit është akoma gjalle.

Ai po ashtu theksoi se është e nevojshme që lidershipi malazez ta njohë rëndësinë e këtij procesi dhe të vendosë interesin shtetëror të Malit të Zi para interesit partiak, sepse vetëm në këtë mënyrë vendi ynë mund të ecë përpara.

 

Ambasadorja Popa tha se ishte një nder i madh për të që mori Urdhrin e Flamurit të Malit të Zi në shenjë mirënjohjeje për aktivitetet e saj në mandatin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi në 4 vitet e fundit, si dhe për institucionet që ajo përfaqëson.

“Dua të shpreh mirënjohjen time të veçantë për presidentin Millatoviq, i cili më dha këtë çmim, por edhe për popullin malazez, sepse një nga qëllimet kryesore të mandatit tim ishte afrimi i Bashkimit Evropian me qytetarët. Shpresoj që ia kam dalë me ekipin tim”, tha Popa.

  • 1

    Radio