Kulturë Më shumë

MESAZH NGUSHËLLIMI ME RASTIN E VDEKJES SË AKADEMIKUT IDRIZ AJETI

Prej tvteuta16:01, 13 Shkurt 2019

Shkuarja nga kjo jetë e gjuhëtarit, profesorit, shkencëtarit, akademikut, para së gjithash, pionierit të studimeve albanologjike në Kosovë, Idriz Ajeti, është një humbje e madhe për shkencat e albanologjisë në përgjithësi dhe për studimet e gjuhës shqipe në veçanti.

Profesor Idriz Ajeti i ngriti studimet për gjuhën shqipe, në nivele shkencore dhe akademike, duke hyrë në brezin e gjuhëtarëve shqiptarë më të njohur si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Rizaj, Jup Kastrati etj. Ky brez i gjuhëtarëve shqiptarë ndikoi që qendra e studimeve për gjuhën shqipe, natyrshëm të jetë në vendet shqiptare si: në Tiranë dhe Prishtinë.

Idriz Ajeti përveç studimeve për dialektologjinë shqiptare, marrëdhëniet gjuhësore midis shqipes dhe serbishtes, trajtoi edhe aspekte të historisë së gjuhës shqipe etj.

Profesor Idriz Ajeti ishte edhe mësimdhënës i njohur në Universititin e Prishtinës dhe një nga udhëheqësit e disa institucioneve të rëndësishme arsimore dhe shkencore në Kosovë.

Sa i përket lidhjeve me shqiptarët në Malin e Zi, ai është studiuesi i të folmeve të Krajës, përkatësisht të arbneshëve të Zarës që janë shpërngulur nga zona e përmendur si dhe  pjesëmarrës i sesionit shkencor për librin e parë të gjuhës shqipe “Meshari”-n e Gjon Buzukut, që u mbajt në Ulqin, më 19-20 maj 1995, organizuar nga Shoqata “Art Club”, në 440-vjetorin e këtij libri.

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini u shpreh ngushëllimet e thella të afërmëve të profesor Idriz Ajetit, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar dhe kryetar i së cilës ishte, si dhe të gjithë albanologëve shqiptarë dhe nëpër botë, pasi Ai ishte model dhe frymëzues i tyre.

 

 

 

 

 

Ulqin, më 13 shkurt 2019                                                                    Kryetari

Ismet Kallaba

 

  • 1

    Radio