Mesazh i Ambasadorit Ridi Kurtezi me rastin e 28 nentorit
Prej tvteuta12:34, 28 Nëntor 2019
Të nderuar bashkëkombas,
Festa e Pavarësisë vjen sot vetëm 2 ditë pas tërmetit të fuqishëm që preku Shqipërinë dhe ku humbën jetën me dhjetra qytetarë shqiptarë. Gjej rastin t’ju falenderoj ju të gjithëve për mesazhet tuaja ngushëlluese dhe solidaritetin e treguar, por edhe autoritetet malazeze për gadishmërinë dhe angazhimin e treguar për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente të veshtira.
Të dashur miq,
28 Nentori i vitit 1912 është data më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë – data kur të gjithë ne shqiptarët festojmë me krenari shpalljen e pavarësisë, e cila nuk ardhi si dhuratë, por vetëm përmes luftërash, mundimesh dhe sakrificash shekullore. 28 Nëntori i vitit 1912 konsiderohet, gjithashtu, edhe si dita e flamurit në ndërgjegjen historike të shqiptarëve. Sepse pikërisht, në 28 nëntor te vitit 1443, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, ai, që mirënjohja e popullit shqiptar e nderon si Heroin Kombëtar, ngriti në Krujë flamurin e Kastriotëve.
Si një fat historik, nëntori është muaji që lidh edhe një ngjarje tjetër të rëndësihme për shqiptarët. Perkrah ditës së flamurit, Shqipëtarët festojnë edhe jubileun e 75 vjetorit të çlirimit të vendit nga nazifashizmi. Në altarin e Dëshmorëve të Kombit, prehen 28 000 dëshmorë, të cilët bënë një rezistencë të armatosur, ndaj pushtuesve nazi-fashistë, duke e rradhitur vendin krenarisht krah për krah me fitimtarët e Luftës së Dytë Botërore. Dhe ky fakt, është gjithashtu një nga vlerat më pozitive evropiane, të cilën e ndajmë sëbashku me Malin e Zi.
Të dashur miq,
Sot ende nuk i dimë përmasat e plota të dëmeve të këtij termeti. Ajo që dimë deri tani është se shumë shqiptarë kanë humbur tragjikisht jetën nën rrënoja, qindra janë lënduar dhe mijëra kanë humbur shtëpitë e tyre. Le të vazhdojmë përpjekjet tona për të ndihmuar familjet në nevojë nën moton “shqiptarët për shqiptarët” dhe të tregojmë se në nevojë shqiptarët janë një komb i bashkuar, i lidhur ngushtë me dhembshuri.
Mendimet dhe lutjet tona janë me ata që humbën jetën, me të lënduarit, me familjet që përjetuan dhimbjen e madhe të humbjes së njerëzve të tyre të shtrenjtë, ndaj edhe njëherë ju ftoj ta nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi duke qëndruar të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Ambasadori
Ridi Kurtezi