Mesazh falenderues i Ambasadorit të Shqiperisë për ndihmën dhe përkrahjen
Prej tvteuta14:15, 9 Dhjetor 2019
Të dashur bashkëkombas!
Pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe
pasojave tragjike që ai pati në jetë njerëzish dhe dëme materiale në Shqipëri,
në cilësinë e përfaqësuesit diplomatik të Shqipërisë në Malin e Zi, une kam
nderin dhe provilegjin që në emër të autoriteteve më të larta të Shtetit Amë, të
shpreh falenderimet më të vecanta për të gjitha mesazhet ngushëlluese dhe
solidaritetin e treguar, përmes mbledhjes së ndihmave financiare për familjet e
prekura nga kjo fatkeqësi e rëndë natyrore.
Rrespekt dhe mirënjohje të posacme për shqiptarët
në Tuz, Ulqin, Plavë, Guci, Rrozhajë dhe Krajë, të cilët treguan se në momente
të vështira ne jemi bashkë dhe dhimbjen e kthejmë në forcë dhe solidaritet përbashkues.
Mirënjohje dhe vlerësim të vecantë dua të shpreh për autoritetet më të larta malazeze, të cilat jo vetëm përcollën ngushëllimet e rastit por edhe aktivizuan të gjitha strukturat e posacme duke na përkrahur, inkurajuar, mbështetur dhe asistuar si një fqinj i mirë dhe i pazëvendësueshëm.
Një falenderim i vecantë shkon për të gjitha Komunat, Fondacionet, Organizatat Joqeveritare, Institucionet arsimore, Partitë Politike, Institucionet e Kultit, të cilët shprehen gadishmërinë dhe solidaritetin duke kontribuar në zbutjen e dëmeve të kësaj fatkeqësie dhe në rindërtimin e banesave të reja.
Në mënyre të posacme gjej rastin të shpreh mirënjohje të thellë për të gjithë ata shqiptarë, të rinj dhe të reja, në shkollë dhe jashtë saj, në pune dhe te papunë, në gjendje dhe në vështirësi, të cilët u aktivizuan nën moton “shqiptarët për shqiptarët” dhe treguan se në nevojë shqiptarët janë një komb i bashkuar, i lidhur ngushtë me dhembshuri, duke dëshmuar këtë solidaritet të jashtëzakonshëm dhe këtë humanizëm kaq prekës.
Le ta vazhdojmë këtë frymë të lartë solidariteti dhe patriotizmi të cilin e kemi amanet të kujtimit dhe të sakrificës së të parëve tanë por dhe ti japim një shembull inkurajues kujtdo që është lindur shqiptar.
Ju faleminderit nga zemra!
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!