Medojeviq kërkon ngritjen e murit ndaj Shqipërisë dhe Kosovës
Prej tvteuta09:47, 21 Gusht 2019
Njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Nebojsha Medojeviq, ka kritikuar ashpër hyrjen e njësive policore të Shqipërisë në Mal të Zi, ndodhur para disa ditëve, diçka që sipas tij nuk ekziston në asnjë vend të botës. Megjithatë, këto pretendime janë hedhur poshtë nga institucionet malazeze, të cilët thonë se kjo praktikë është normale në vendet e Bashkimit Evropian, kurse Mali i Zi ka edhe marrëveshje për këtë me Shqipërinë që prej vitit 2009. Medojeviq po ashtu ka deklaruar se kufijtë në mes Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë janë kufijë më të pasigurtë në Evropë nëpërmes të cilëve kalon kontrabandë e madhe që shërben për pasurimin e elitave politike në këto vende, dhe ka sugjeruar që përgjatë tyre të ngritet muri. Kjo ka ngjallur reagim të subjekteve dhe zyrtarëve të shumtë në Mal të Zi, të cilët në përgjithësi këtë e kanë quajtur një marrëzi të radhës të këtij politikani.