Më shumë se një mijë kompani turke janë aktive në Mal të Zi
Prej tvteuta12 September 2024

Rreth 10,000 kompani turke janë të regjistruara në Mal të Zi, nga të cilat pak më shumë se një mijë janë aktive, dominuese në sektorin e ndërtimit. Kështu ka bërë të ditur ambasadori i Turqisë në Mal të Zi, Barisha Kalkavan, në takim me ministrin e Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Sllaven Radunoviq. Kalkavan e informoi Radunoviqin edhe për themelimin e Dhomës së Tregtisë Turke në Mal të Zi, e cila bashkon kompanitë kryesore turke që operojnë në Mal të Zi, si dhe për formimin e Komitetit për Ndërtim në kuadër të saj. Radunoviq në takim tha se është i kënaqur me marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet Malit të Zi dhe Turqisë, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e investimeve turke që kontribuojnë në zhvillimin e Malit të Zi. “Ministria do të jetë gjithmonë e hapur për bashkëpunim me investitorët turq, si dhe me të gjithë investitorët e tjerë që me angazhimin e tyre dhe në përputhje me ligjet në fuqi do të kontribuojnë në krijimin e një ambienti më të mirë dhe më funksional të biznesit në Mal të Zi”, përfundoi ai.