Mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi
Prej tvteuta15:47, 11 Korrik 2019
Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka marrë vendim për dhënien e mbështetjes financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi me seli qendrore në Ulqin dhe dy zyrat e tij koordinuese, në Malësi/Tuz dhe Plavë. Në një postim në rrjetin social Facebook, Ministri në Detyrë shkruan se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve luan një rol thelbësor në përfaqësimin e përgjithshëm dhe fuqizimin e rolit të veçantë të shqiptarëve në Mal të Zi, duke adresuar një gamë të gjerë çështjesh të cilat fillojnë nga arsimi, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike, sfidat socio-ekonomike e deri tek ruajtja e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Mal të Zi.