Aktuale Më shumë

Masat e reja për hyrjen në Mal të Zi janë të diskutueshme

Prej tvteuta16:16, 4 Janar 2022

Masat e reja për hyrjen në Mal të Zi, të cilat kanë hyrë në fuqi që nga 2 janari, parashikojnë që shtetasi i vendit tonë dhe i huaji, pavarësisht vaksinimit, duhet të dorëzojë një PCR ose një test të shpejtë. Eksperti për mbrojtjen e të dhënave personale Radenko Llacmanoviq ka vlerësuar për Radion e MZ se këto masa janë, në shumë mënyra, të diskutueshme.

“Me përpunimin e të dhënave në pikat kufitare kontrollohen të dhënat tona personale, duke kontrolluar nëse i kemi plotësuar kushtet e parapara. Përpunimi i të dhënave duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë, thekson Llacmanoviq.

Në këtë rast konkret, shpjegon Llacmanoviq, është shumë e rëndësishme të dihet nëse ky është i ashtuquajturi përpunim i drejtë i të dhënave personale.

Përpunimi i drejtë nënkupton që ai kryhet në interesin më të mirë të personit të dhënat e të cilit përpunohen. Llacmanoviq thotë se në këtë rast nuk është i sigurt se të gjitha të dhënat që kërkohen për të hyrë në Mal të Zi janë në interesin tonë më të mirë.

Llacmanoviq problematizon edhe masën që u mundëson personave përgjegjës në ambientet e hotelierisë, më së shpeshti kamerierëve, të kërkojnë konfirmim nga mysafiri për të hyrë në lokal.

“Të vetmit që mund dhe duhet ta bëjnë këtë gjë janë organet inspektuese si persona të autorizuar të përcaktojnë nëse masat respektohen apo jo”, thekson Llacmanoviq.

Eksperti për mbrojtjen e të dhënave personale konstaton se masat në fuqi, edhe pse mund të thuhet se janë në interes të publikut, gjegjësisht me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, sipas tij, janë në masë më të madhe në kundërshtim me nenin 2, paragrafi 2 të Ligjit për Mbrojtjen e të dhënat personale.

  • 1

    Radio