Marrëveshja e pranuar, seanca e Kuvendit më 26 tetor

Prej tvteuta12:58, 19 Tetor 2023

Organet partiake të Evropa Tani, Demokracia e Re Serbe, Mali i Zi Demokratik, Partia Popullore Demokratike, Partia Popullore Socialiste dhe koalicioni i Forumit Shqiptar dhe Aleancës Shqiptare, pranuan marrëveshjen për formimin qeverisë së re.

Mbetet që Mali i Zi i Bashkuar dhe CIVIS të informojnë opinionin për vendimet e tyre, por besohet se është rrugës një shumicë e qëndrueshme politike, e cila duhet të zgjedhë një udhëheqje të re të parlamentit dhe një qeveri të re. Portali RTMZ ka konfirmuar informacionin se seanca parlamentare do të mbahet më 26 tetor.Një burim nga mazhoranca e re tha se do të zgjidhet kryesia e Kuvendit të Malit të Zi, e më pas qeveria e re.

Këshilli Kryesor i Evropa Tani ka mbështetur marrëveshjen dhe kandidatët për ministra, ndërsa Këshilli Kryesor i Demokracisë së Re Serbe ka mbështetur marrëveshjen dhe kandidaturën e Andrija Mandiqit për kryetar të ri të Parlamentit të Malit të Zi.

Seanca parlamentare në të cilën do të zgjidhet Mandiq, si dhe disa nga nënkryetarët e parlamentit do të mbahet javën e ardhshme.

Sa i përket Evropa Tani, Këshilli Kryesor konfirmoi edhe propozimin e mandatarit Millojko Spajiq për anëtarët e ardhshëm të Qeverisë së 44-të në kuadër të resorseve që sipas marrëveshjes i takojnë Lëvizjes Evropa Tani.

Për ministër të Punëve të Jashtme u propozua Filip Ivanoviq, anëtar i Kryesisë së Lëvitjes Evropa Tani, ndërsa Ministre e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq. Angjella Jakshiq Stojanoviq u propozua për ministre të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, ndërsa Novica Vukoviq për Ministër të Financave.

Kandidat për Ministër të Drejtësisë është Andrej Milloviq, për Ministër të Shëndetësisë Dr. Vojisllav Shimun, ndërsa për Ministre të Punës dhe Mirëqenies Sociale është Naida Nishiq.

Kandidat për ministër të Energjisë dhe Minierave është dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, Sasha Mujoviq, ndërsa në postin e ministrit të Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore është propozuar  Janko Odoviq. Është propozuar që kandidat për ministër të Transportit dhe Punëve Detare të jetë Filip Radulloviq.

Draft-marrëveshja, siç thuhet në atë dokument, është arritur me dëshirën për të arritur një konsensus të gjerë politik që do të mundësojë formimin e një qeverie të qëndrueshme dhe kompetente, e gatshme për t’u përballur me sfidat kryesore të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi.

“Në përputhje me respektimin konsekuent dhe të plotë të të gjitha dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, Kryeministri merr përsipër të propozojë dhe nënshkruesve të Marrëveshjes të mbështesin rindërtimin e Qeverisë së 44-të të Malit të Zi jo më vonë se votimi i buxhetit për vitin 2025. “ thuhet në dokument.

  • 1

    Radio