Marku: E kam ëndërruar të ndeshem në “Air Albania”, do të bëj maksimumin që të fitoj
Prej tvteuta24 August 2022
Florian Marku të enjten mbrëma në stadiumin “Air Albania” në Tiranë lufton në një meç në dhjetë runde me meksikanin Miguel Parra Ramirez për titullin WBC Interim Silver.
Për Markun është meçi i parë që e zhvillon në Shqipëri.
Ish-luftëtari i arteve marciale të përziera është bërë sensacion në Britani të Madhe, për shkak të numrit të madh të shikuesve.
Marku 29-vjeçar në boks profesionist i ka zhvilluar 12 meçe, prej tyre i ka fituar 11 dhe ka barazuar një.
Debutoi në boks profesionist në dhjetor të vitit 2018 në Gjermani, duke e nokautuar serbin Nikola Janicijeviq.
Më pas karrierën e vazhdoi në Britani, ku e rriti famën, ndërsa korri fitore rresht.
Ai titullin IBF në kategorinë velter e fitoi në shtator të vitit 2021 duke e mposhtur me pikë pas 12 rundeve rumunin me shtetësi italiane Maxim Prodan. Ndërsa këtë titull e mbrojti në prill të këtij viti duke e nokautuar në rund të katërt Chris Jenkinsin.
Të martën në konferencë për media Marku e ka vlerësuar ndeshjen me meksikanin Parra si më të rëndësishmen në karrierë.
“Guximin e kam pasur që kur kam lindur. E kam ëndrruar të ndeshem në këtë stadium. Nuk është asgjë fat, është punë dhe sakrificë. Ia del në fund. Vetëm me barelë mund të më nxjerrë kundërhstari nga ringu, ndryshe nuk pranoj humbje. Do bëjë maksimumin të fitoj. Çdo brez, çdo ndeshje është e njëjtë. Ky brez më çon drejt majave”, tha Marku.