“Mandiq patjetër do të shkarkohet, do të shohim kur”
Prej tvteuta12:26, 10 Mars 2024
Kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq definitivisht do të shkarkohet nga ajo pozitë, tha deputetja e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) Aleksandra Vukoviq Kuç, duke thënë se mbetet të shihet nëse do të ndodhë javën e ardhshme apo në javët në vijim
Vukoviq Kuç tha për agjencinë MINA se Lëvizja Evropa Tani (PES), duke propozuar heqjen e iniciativës për shkarkimin e Mandiqit nga rendi i ditës së seancës së Kuvendit, tregon politikën e saj të dobët dhe të lëkundur.
Ajo theksoi se Mandiq edhe po të dojë nuk mund t’i ikë diskutimit, sepse ajo pikë do të jetë pjesë e rendit të ditës së seancës së ardhshme kur opozita ta propozojë si pikë të saj, sepse kalimi i propozimit të opozitës garantohet me Rregulloren e Punës.
Vukoviq Kuç tha se iniciativa për shkarkimin e Mandiqit përcakton pozicione të rëndësishme politike.
“Nuk e vë në pikëpyetje shumicën parlamentare, as opozita nuk tenton të kthehet në pushtet, nuk bëhet fjalë për klasifikimin e atyre që e përbëjnë Qeverinë dhe të atyre që janë jashtë saj”, ka shpjeguar Vukoviq Kuç.
“Zgjedhja midis nacionalizmit në formën e një “bote fantastike serbe”, një politikë që udhëheq një luftë në Ukrainë ose i mban opozitarët në burg deri në vdekje (çështja Navalny) dhe një ideologjie civile dhe progresive që është e orientuar në thelb drejt Perëndimit dhe vlerat e saj”, tha Vukoviq Kuç.
Ajo vuri në dukje se është një situatë në të cilën bëhet një zgjedhje midis administrimit të shtetit nga praktika politike e demokracisë ose menaxhimit të shoqërisë nga një “kënd nacionalist dhe shovinist, i cili, për shkak të efektit të tij fatal, përfshin shpejt të gjithë sistemin dhe bëhet një e keqja e institucionalizuar”.
“Mandiq patjetër do të zëvendësohet. Do të shohim nëse do të jetë javën e ardhshme apo tjetrën”, tha Vukoviq Kuç.