Politikë

Politikë Më shumë

Mali i Zi një hap më afër NATO-s

Prej tvteuta28 March 2017

Mali i Zi është një hap më afër që të bëhet anëtari i 29-të i NATO-s. Ratifikimi i traktatit për pranimin e Malit të Zi në aleancë tejkaloi një pengesë procedurale të hënën në senatin amerikan, i cili do të mblidhet për një votim përfundimtar më vonë gjatë kësaj jave. Miratimi i traktatit kërkon dy të tretat e votave në senat dhe pas kësaj presidenti mund të ratifikojë atë. Nëntëdhjeteshtatë senatorë e mbështetën këtë proces. Më herët gjatë këtij muaji, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i dërgoi një letër senatit që të miratojë traktatin para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare. Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë, Vetëm tri vende anëtare nuk e kanë përmbyllur miratimin. Votimi në senatin amerikan është bllokuar për disa muaj nga dy senatorët republikanë, Rand Paul dhe Mike Lee, që kundërshtojnë zgjerimin e aleancës ushtarake.