“Mali i Zi ka qenë jo konkurrues për investitorët e huaj për tre vitet e fundit
Prej tvteuta12:04, 19 Nëntor 2023

Mjedisi i dëmtuar i biznesit, politika tatimore dekurajuese, mjedisi politik, pasiguria dhe kushtet e paqëndrueshme të biznesit e kanë bërë Malin e Zi jo konkurrues për investitorët e huaj në tre vitet e fundit, tha Nikolla Milloviq, deputet i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).
“Fluksi neto i investimeve të huaja direkte (IHD) në Mal të Zi është pothuajse 50 për qind më i ulët në krahasim me periudhën janar-shtator të vitit të kaluar. Fluksi total neto i IHD-ve ishte vetëm 320.37 milionë euro. Të gjitha llojet e investimeve treguan një trend të dukshëm në rënie, me përjashtim të pronave të paluajtshme, të cilat kishin një trend të rritjes prej katër për qind”, ka shkruar Milloviq në profilin e tij në rrjetin social X.
Ai shtoi se IHD-të për ekonominë malazeze janë një faktor vendimtar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.
“Kjo gjendje e neglizhuar e mjedisit të dëmtuar të biznesit kërkon zhvillimin dhe zbatimin e një strategjie serioze për tërheqjen e IHD-ve në Mal të Zi,” tha Milloviq.
Ai beson se vetëm me investime të reja të huaja dhe vendore në ekonominë reale krijohen mundësi për vende të reja pune dhe punësim, e me këtë edhe financa publike të qëndrueshme dhe paga e pensione më të larta.
“Kthimi te populizmi ekonomik, i cili në thelb bazohet në mashtrimin se pa punë dhe investime mund të jetohet mirë, na largon nga thelbi i vështirë i politikës ekonomike, që bazohet në krijimin e një vlere të re dhe shpërndarjen e saj. “, ka thënë Milloviq.