Lihen në qeli dy bashkëpuntorët e Taçit për pastrim parash
Prej tvteuta15:55, 14 Nëntor 2021
Gjykata e Posaçme në Shqipëri ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Bledar Lilon dhe Artur Ballën, që dyshohet se janë bashkëpunëtorë të Rezart Taçit për pastrim parash përmes bizneseve të naftës.
Lilo ka kërkuar shpalljen e mos-kompetencës dhe lirimin e menjëhershëm, duke theksuar se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi sipas tij është thjesht një shofer.
Ndërsa, Balla ka kërkuar shpallje te mos-kompetencës dhe caktimin e një mase më të butë sigurie, si ajo e ‘arrestit në shtëpi’.
Mbrojta ka kërkuar nga SPAK që t’i vihen në dispozicion provat, pasi sipas tyre nuk kemi të bëjmë me pastrim parash duke qenë se shuma prej mbi 18 milionë euro ka mbërritur nëpërmjet bankave.
“Nëse parat kishin ardhur nga bota e krimit pse nuk u ndaluan në Zvicër”, thuhet nga pala mbrojtëse.
Të premten SPAK shpalli në kërkim biznesmenin Rezart Taçi arrestoi dy të sipërpërmendurit.
Sipas hetimeve të SPAK dhe Antimafias italiane, skema e pastrimit të parave drejtohej nga shtetasit italianë: Francesco Zummo, I.Z., Fabio Petruzzella dhe D.C, të cilët në bashkëpunim me Rezart Taçin pastronin para përmes bizneseve në sektorin e naftës.
SPAK sqaron se dy personat e arrestuar, Artur Balla dhe Bledar Lilo kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri por dhe jashtë vendit, kryesisht Zvicrës, për pastrimin e parave.
Kujtojmë se Rezart Taçi kishte ndërhyrë edhe tek Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Këtë të fundit e përdori për të kaluar nga “banka e Presidentit”, i cili do të merrte edhe ai shumën e vet të parave sapo transferimi të kryhej.