Aktuale Më shumë

Liderët e ballkanit kundër rusisë. Të gjithë dënojnë, Vuçiç hesht!

Prej tvteuta14:31, 24 Shkurt 2022

Liderë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës, kanë dënuar operacionin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e hershme të së enjtes. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është i vetmi lider nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që nuk e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se populli i shtetit të saj mbështet popullin ukrainas, teksa përballet me “pasojat e një lufte të paprovokuar, si rezultat i agresionit rus”. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se u bashkohet aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të dënuar ashpër agresionin rus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të enjten se sulmi rus në Ukrainë, përbën agresionin e dytë më të madh ushtarak prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ka thënë po ashtu në Twitter se u bashkohet thirrjeve të BE-së që Rusia t’iu japë fund armiqësive dhe të tërheqë forcat nga Ukraina. Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, ka thënë se ky “sulm i paprovokuar përbën shkelje të madhe të sovranitetit të Ukrainës dhe ligjit ndërkombëtar”.

Kryesuesi i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka thënë se do të ofrojë mbështetje për Ukrainën, brenda mundësive. “Sot në orën 06:00 kam biseduar me të ngarkuarin me punë të Ukrainës, i cili më ka informuar zyrtarisht se sulmi ndaj Ukrainës ka nisur dhe se Ukraina kërkon mbështetjen tonë në të ardhmen”.

  • 1

    Radio