Kulturë Më shumë

Librat apo filmat?

Prej tvteuta09:19, 18 Shkurt 2019

Librat dhe filmat, megjithë të përbashkëtat e tyre, janë dy forma krejt të ndryshme arti. Librat të ndihmojnë të bësh gjëra që filmat kurrë nuk do të mundnin: të zhvillojnë imagjinatën, të pasurojnë mendjen dhe fjalorin. Por edhe filmat ofrojnë diçka që nuk e gjen te librat: argëtim të shpejtë dhe mundësi për të provuar përjetimet e dikujt tjetër.

Gabimi në gjykimin e një filmi që bazohet mbi një libër qëndron te fakti që lexuesi po e gjykon filmin duke u bazuar te pritshmëritë e veta, duke përdorur si etalon emocionet dhe përjetimet personale. Nuk është e drejtë që të presësh që çdo gjë që ke imagjinuar gjatë leximit të veprës të shfaqet në ekran, sepse me shumë gjasa edhe personi me të cilin po e sheh filmin nuk ka patur të njëjtat përjetime si të tuat gjatë leximit të librit.

Po të rinjtë tanë kë preferojnë më shumë librin apo filmin, në përgjigjet që ne morëm rezultoj që libri të jenë më i dashur për ta.Librat janë një minierë informacioni. Teksa lexon një libër, mendja arkivon copëza informacioni të cilat ti nuk e di kur mund të të nevojiten. Është si të ndjekësh një kurs mbi një degë të caktuar, por falas. Leximi është një mundësi për të përthithur një informacion të caktuar, rezultat i një pune të madhe dhe një hulumtimi të gjerë, brenda një kohe të shkurtër.

Megjithëse nuk premtojnë se do të bëjnë një komunikues të shkëlqyer, me anë të librave zhvillon gjuhën dhe zbulon një gamë të gjerë fjalësh për t’u shprehur. Librat të ndihmojnë të pasurosh fjalorin, të shkosh përtej bazikes, por edhe të njohësh gjuhën.

Kur sheh versionin kinematografik të një libri që ke lexuar, përballesh me një tjetër pikëpamje, perceptim, të të njëjtit material. Ti, regjisori dhe skenaristi keni lexuar të njëjtin libër, por përjetimet janë pothuajse katërcipërisht ndryshe. Gjithashtu, nëse për leximin e librit ke pasur më shumë kohë në dispozicion dhe luksin e shijimit të çdo detaji, në film regjisori është i detyruar që të përçojë mesazhin e tij në 120 minuta apo më pak.

Filmat janë më shoqërorë. Ndërsa leximi të do të gjithin për vete. Megjithate dita ditës lexohet më pak.

Ç’të keqe ka që dy forma të ndryshme arti, dhe argëtimi, që në një mënyrë apo në një tjetër kanë kontribuar në formimin tonë kulturor, të bashkohen, pa qenë e nevojshme që të vihen përballë si armike të përjetshme? Sepse, në fund të fundit qëllimi i filmit nuk është që të zëvendësojë librin, por vetëm të argëtojë shikuesin.

  • 1

    Radio