“Libraria Ulqini” u vizitua nga mërgimtarë të shumtë
Prej tvteuta24 August 2022

Qendra e Librit dhe Promovimit “Libraria Ulqini”, e vetmja me literaturë në gjuhën shqipe në Malin të Zi, ka disa kohë që është hapur. Televizioni ynë kohë pas kohe përcjell aktivitetet dhe informohet mbi titujt e rinj që i bashkohen sirtarëve të librarisë. Me qenë se kjo librari u hap pas sezonit veror të vjetshëm, ishte ky sezoni i parë që solli mërgimtarë dhe mysafirë më afër vendit të tyre, historisë dhe shkrimeve shqipe. Kjo ishte pikërisht edhe arsya pse vendosëm të vizitonim së fundmi librarinë “Ulqini”, për të kuptuar interesimin e mysafirëve që vizitojnë vendin, por edhe te mërgimtarëve tanë. Mbi këtë na foli edhe Bledar Doda, drejtor i librarisë Ulqini, ku na tha se interesimi i vizitorëve ishte më i madh nga se e kishin pritur.
Duke qenë se kjo librari momentalisht ofron vetëm libra në gjuhë shqipe, Doda e vuri në dukje këtë mungesë, duke thënë se në periudhën e afërt kësaj librarie do i bashkëngjiten edhe tituj në gjuhë malazeze dhe angleze. Përveç kësaj Doda nuk na zbuloi shumë për aktivitetet që do të kenë, por kuptuam se shumë prej tyre janë në pritje.