Aktuale Më shumë

Legjendat nuk vdesin

Prej tvteuta18:17, 28 Janar 2022

Thonë që njerëzit legjendar nuk vdesin, por jetojnë në veprat që kanë lënë pas, në kujtimet e atyre që i kanë njohur, e në zemrat që kanë prekur.

Xhafer Cuka ishte i tillë. Sa i papërbajtshëm e furioz në fushën e futbollit, aq i butë, i qetë dhe i dashur jashtë saj. Ai nuk ishte vetëm një ndër sportistët më të mirë të Krajës, por edhe ndër njerëzit më të mirë, ndërsa bëmat e tij në fushën e lojës, me kohë i kanë kapërcyer kufijtë e kësaj treve.

Ndarja nga jeta e tij në një moshë të re, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por edhe për nxënësit e tij, shoqërinë, e të gjithë Krajën.

Në shenjë nderimi për figurën e tij, shkolla fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ku ia punonte, shoqata e bjeshkatarëve “Rumia” dhe sportistët e Krajës, organizuan një orë përkujtimore, ku mes emocioneve të shumta, vlerësuan kontributin e tij të pashembullt si sportist, por edhe si mësimdhënës shembullor.

Pasi u mbajt një minut heshtje, fjalën e mori drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Beqir Berjashi, i cili vlerësoi lart kontributin e tij si mësimdhënës, ku shquhej me aftësitë edukative të profesionit. Por jo vetëm. Xhaferi ishte edhe një koleg dhe njeri shembullor, i cili përveç shpirtit bujar, shquhej edhe për dashurinë e madhe për trevën e vendlindjes dhe gjithë kombin.

Një fjalim emocional për Xhaferin, e mbajti edhe i nipi Valdeti, i cili për këtë kishte ardhur nga mërgimi. Ai kujtoi fjalët dhe inkurajimin e pashembullt që ai nguliti jo vetëm tak nipi, por tek të gjithë fëmijët që stërviste. Dorëzimi dhe dobësia nuk ishin opsion, ndërsa shtrirja e dorës kundërshtarit nuk cilësohej përulje por virtyt.

Xhaferi ishte i angazhuar edhe në shoqatën e bjeshkatarëve “Rumia”, gjithmonë i gatshëm të merrte pjesë në çdo aktivitet që nxirrte në pah shpirtin e tij sportiv. Ishte e dashur për të gjithë që e njohën, edhe jashtë kufijve të Krajës, duke lënë pas një dhimbje edhe përtej vendlindjes.

Mirsad Markashi, shok, bashkohës dhe bashklojtar në turne të shumtë sportiv, me plot mallëngjim kujtoi cilësitë më të larta njerzore që posedonte Xhaferi. Ai ishte gjithmonë pararojë e çdo aktiviteti, i palodhur të jetë pjesëtar dhe të ndihmojë në çdo mënyrë të mundshme.

“Vdekja e tij është një humbje e madhe për të gjithë shoqërinë.”- thotë Markashi.

Xhafer Cuka u nda nga jeta më 22 janar të këtij viti, si pasojë e një sëmundje të rëndë, por kujtimi dhe trashëgimia e tij do të vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e Krajës edhe për shumë dekada të tjera. Ai u largua nga kjo botë ashtu si e bënte edhe jetën, në qetësi dhe i rrethuar nga dashuria e familjes dhe të afërmve, duke lënë pas një shembull për tu ndjekur, dhe një mall për të gjithë që e kanë njohur.

  • 1

    Radio